Site icon Telegrafi

Inteligjenca artificiale e fuqizon politikën, por gjithashtu mund ta rifillojë demokracinë

Ilustrimi: Deena So’Oteh / The Guardian

Nga: Polly Curtis / The Guardian
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com

Videoja në YouTube ku unë kthehem më shpesh, është ajo me David Bowien duke u intervistuar nga Jeremy Paxmani – në Newsnight më 1999. Bowie flet për atë që mund të bëjë interneti: “Nuk mendoj se e kemi parë as majën e ajsbergut. Mendoj se është i paimagjinueshëm potenciali i asaj që interneti do t’ia bëjë shoqërisë, si për mirë ashtu edhe për keq. Mendoj se jemi në prag të një gjëje emocionuese dhe të tmerrshme.”

“Është veçse një mjet, apo jo?”, reagon Paxmani me mospërfillje. “Është formë e jetës jashtëtokësore”, këmbëngul Bowie. “A ka jetë në Mars? Po, dhe sapo ka zbritur këtu”.

Në kohën e asaj interviste me Bowien, e shkruaja disertacionin universitar të titulluar Liria e fjalës në hapësirën kibernetike: Sfida që interneti paraqet për Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara. Ishte kohë marramendëse. Kulmi i utopisë së internetit, me idealistët e teknologjisë që premtojnë se natyra decentralizuese e internetit do ta reformojë rrënjësisht dinamikën e pushtetit dhe se demokracia mund të rilind.

Lexo po ashtu Interneti është makthi i Vrapuesit në Teh, por është një mënyrë për ta frenuar valën e gënjeshtrave

Duke kaluar shpejt nëpër 25 vjetët jo të rëndomta, e dimë se ka ndodhur e kundërta: e vërteta dhe besimi janë gërryer, demokracia ka dështuar të reformohet në epokën digjitale, ndërsa marrëdhënia midis atyre në pushtet dhe atyre që zgjedhin është tensionuar deri në pikën e thyerjes. Në këtë moment e shohim përhapjen e inteligjencës gjeneruese artificiale dhe kuptohet se reagimi ka qenë një përzierje e histerisë dhe e shpresës.

Histeria rreth robotëve vrasës rrezikon të maskojë ndikimet reale shoqërore, që në mënyrë të pashmangshme bëjnë revolucionet industriale, duke përçarë fituesit dhe humbësit dhe duke përçarë mënyrat e jetës në nuanca më delikate dhe ndonjëherë të dëmshme. Por, ka shpresë për demokracinë në revolucionin e AI-së – nëse i vendosim parmakët e duhur rreth tij.

Nëse e bëjmë AI-në të punojë për demokracinë, atëherë ekosistemet tona të informacionit mund të përmirësohen shumë përgjatë dhjetë vjetëve – për të mbështetur vendimmarrjen demokratike. Ne mund ta trajnojmë AI-në që të vlerësojë informacionin e verifikuar dhe ta ofrojë atë në mënyrat që informacionin e bën më kompleks dhe më të qasshëm për më shumë njerëz.

Politikanët mund të kenë besim shumë më të madh nga njerëzit, për të bërë gjënë e duhur, sepse i kanë mësuar mënyrat e reja për të përfshirë njerëzit në vendimmarrje. Asambletë e qytetarëve të inteligjencës artificiale, mund të ndihmojnë njerëzit dhe politikanët që të lundrojnë përmes kompromiseve të kërkuara, për të trajtuar problemet e mëdha. Këto koncepte nuk janë krejtësisht të çuditshme. Polis-i është mjet i tillë, i zhvilluar në ShBA dhe që përdoret për të formësuar më gjerësisht politikat në Tajvan, duke e përfshirë hartimin e rregulloreve për Uber-in. Në diçka që duket e thjeshtë, Polis-i harton pikëpamjet e njerëzve sipas konsensusit, në vend të ndarjes, dhe ua jep njerëzve opsionet për të sugjeruar idetë politike. Në Mbretërinë e Bashkuar, ne në Demos kemi punuar me Polis-in për projektet e Zyrës së Kabinetit, për të angazhuar ekspertët dhe publikun në rishikimin e integruar të sigurisë, të mbrojtjes, të zhvillimit dhe të politikës së jashtme për vitin 2021. Andrew Grey, kandidat i pavarur në zgjedhjet plotësuese të Selbit dhe Einstit në korrik, po e përdor atë për të fuqizuar të gjitha politikat e tij, duke e deklaruar veten si politikani i parë i fuqizuar nga AI-ja.

Brenda një dekade mund t’i riparojmë marrëdhëniet midis shtetit dhe qytetarit. Mund ta lehtësojë dialogun ndërmjet deputetëve dhe votuesve, duke mundësuar elementët e demokracisë së drejtpërdrejtë që ta plotësojnë sistemin tonë përfaqësues. AI-ja mund të lejojë gjithashtu përdorimin më të mirë të të dhënave të qytetarëve, për të synuar shërbimet publike, ndërhyrjet dhe mbështetjen e njerëzve në një nivel më njerëzor. Inteligjenca artificiale mund të përdoret për të udhëzuar njerëzit që të kenë qasje në ndihmën e shtetit.

Por, kjo do të ndodhë vetëm nëse e bëjmë të ndodhë. Sepse, tash për tash, stimujt për të zhvilluar AI-në gjeneruese janë që të gjithat komerciale, me investitorët që e drejtojnë zhvillimin e teknologjisë në mënyrat që rrezikojnë ta lënë edhe më tej demokracinë prapa – jo më pak për shkakun se talenti, ekspertiza dhe infrastruktura ndjekin paratë dhe jo atë që mund të përdoret për të mirën e përbashkët.

Bashkëmoshatari laburist Jim Knight, i cili ka qenë i afërt me ligjet e fundit digjitale që kalojnë në Parlament, e bën një deklaratë befasuese: janë katër procese legjislative në lidhje me digjitalen në zhvillim, në këtë moment, nëse e përfshini këtu raportin për AI-në të botuar në fillim të këtij viti. Asnjë prej tyre nuk e përmend mbrojtjen apo promovimin e demokracisë, si një qëllim të qartë. Në vend të kësaj, janë të shqetësuar për sigurinë në internet, për tregjet digjitale dhe për mbrojtjen e të dhënave. Demokracia është elefanti në dhomë.

Pa u fokusuar në mënyrë eksplicite në potencialin e AI-së për ta përmirësuar demokracinë – ose të paktën të mos e dëmtojë – me shumë mundësi ajo do të korruptojë. Informacioni i pabesueshëm do të përhapet, duke e gërryer më tej besimin. Por, pa e përditësuar në mënyrë eksplicite demokracinë tonë për të përfshirë më shumë aktivitete pjesëmarrëse, që mund të lehtësohen përmes këtyre teknologjive, ne do të mbetemi gjithnjë e më shumë në një sistem që është prej shekujsh i vjetruar, duke u përpjekur që të qeverisim në një botë që lëviz me shpejtësi krejtësisht ndryshe dhe në mënyra krejtësisht të ndryshme. Këtë herë duhet t’i nxjerrim mësimet. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version