Site icon Telegrafi

Inteligjenca artificiale dhe ndikimi në media, Hajrullahu: Gazetaria ka një rol vendimtar në edukimin e publikut për AI 

Në edicionin e parë të “Forumit të Paqes”, një prej temave të diskutuara është edhe përdorimi inteligjencës artificiale dhe ndikimi i saj në industrinë e medias dhe paqen globale.

Forumi tutje trajtoi sfidat dhe mundësitë që AI ofron, duke theksuar se kjo teknologji është thelbësore për transformimin e gazetarisë dhe ruajtjen e integritetit në epokën e lajmeve të rreme.

Muhamet Hajrullahu, kryeredaktor në Telegrafi. com tha se AI është një mjet i fuqishëm në fushën e gazetarisë.

Ai tha se inteligjenca artificiale ndikon ndjeshëm në punë në disa mënyra, duke riformuar si procesin editorial ashtu edhe peizazhin më të gjerë mediatik.

Hajrullahu tutje tha se inteligjenca artificiale përshpejton detyra të ndryshme editoriale si optimizimi i përmbajtjes, madje edhe gjenerimi i raporteve bazë të lajmeve.

Sipas tij, gazetaria ka një rol vendimtar në edukimin e publikut për inteligjencën artificiale, duke thjeshtuar tema komplekse, duke promovuar edukimin mediatik, duke nxitur debate dhe duke theksuar potencialin e AI për ndikim pozitiv.

Hajrullahu ka folur edhe për rolin e AI në kohën kur po ballafaqohemi me lajme të rreme, propagandë. Ai ka thënë se janë mediat profesionale e kredibile që bëjnë verifikimin e  fakteve në kohë reale.

“Përdorimi i AI në media mund të përmirësojë mënyrën se si ne raportojmë për paqen dhe konfliktet… Megjithatë, është thelbësore që mediat të ruajnë standarde të larta etike për të siguruar që AI nuk përdoret për të përhapur propagandë ose për të krijuar polarizim”, tha ai.

Nga ana tjetër, gazetarja Aida Salihbegoviq, theksoi se përkundër që inteligjenca artificiale, si ChatGPT, mund të jetë një mjet shumë i fuqishëm, ajo mund të bëjë gabime të konsiderueshme.

“Ne sot kemi kohë e dimë që AI është aty edhe shumë industri dhe kolegët e mi e përmenden që AI është i rëndësishëm. Chatgtp nuk është edhe aq i sigurt, bën gabime dhe duhet të verifikohet…”, ka shtuar Salibegoviq. /Telegrafi/

Exit mobile version