Site icon Telegrafi

Intelektualët e rinj kosovarë

Ngjarjet e fundit në veri ia tërhoqën vëmendjen përsëri opinionit ndërkombëtare drejt Kosovës. Veçse, kësaj here, në mediat perëndimore konflikti në veri u pasqyrua nën një këndvështrim krejtësisht ndryshe. Nëse deri dje konflikti në veri perceptohej si konflikt me bërthamë etnike, kësaj here ai u paraqit si konflikt i ligjit kundër anarkisë dhe krimit të organizuar. Ky ndryshim perceptimi ishte për Kosovën një fitore e madhe në opinionin publik perëndimorë.

Faktori kryesor në këtë ndryshim perceptimi ishin reagimet e opinionistëve dhe gazetarëve perëndimorë, të cilët nuk munguan së pasqyruari realitetin në veri të Kosovës. Ajo që mungoi në mediat e shkruara perëndimore ishin reagimet e intelektualëve të rinj kosovarë të diplomuar atje. Ndërkohë që reagimet mediatike të Serbëve ishin tepër aktive në përcjelljen e ngjarjeve në interes të tyre, reagimet e intelektualëve të rinj kosovarë ishin pothuajse inegzistente.

Fenomeni në fjalë bëhet akoma më shqetësues kur mëson se sa shumë studentë kosovarë kanë përfituar bursa për të vazhduar studimet në perëndim pikërisht për shkenca politike dhe ato sociale. Faqet e opinioneve editoriale në gazetat perëndimore duhet të ishin mbushur me shkrimet e studentëve dhe intelektualeve të rinj kosovarë. Por, shkrimet e tyre munguan.

Duke pasur parasysh se mundësitë janë më se komode për ta bërë një gjë të tillë, jo-aktivitet i tyre ne mediat e shkruara perëndimore është i pa-justifikueshëm. Dhe, ky mosangazhim ka disa aspekte.

I pari, është aspekti moral. Studentët kosovarë të cilët i kanë kryer studimet në shkenca politike falë bursave të akorduara nga qeveria e Kosovës ose nga partnerë ndërkombëtarë, kanë një detyrim moral shumë më të madh kundrejt angazhimeve mediatike sesa cilido student apo intelektual i ri që gjendet në Kosovë. Ky mosangazhim nga ana e tyre është i pafalshëm.

I dyti, është aspekti akademik. Studentët dhe intelektualët të cilët vazhdojnë, ose që i kanë kryer studimet në perëndim presupozohen se kanë aftësi akademike të një cilësie të lartë. Në shumicën e rasteve kur këta studentë kthehen në Kosovë në mënyrë indirekte pretendojnë se falë aftësive të tyre akademike të fituara në perëndim shoqëria kosovare detyrimisht duhet t’i akomodojë në karrierat e tyre profesionale. Por, si mund t’i kërkojnë shoqërisë kosovare akomodime studentë të shkencave sociale të cilët – në rastin me te mirë – nuk duan, ose – në rastin më të keq – nuk janë të aftë të botojnë një artikull me 600 fjalë që shpjegon realitetin e veriut të Kosovës publikut perëndimor?

I treti, është aspekti i përgjegjësisë personale. Thuhet, se bashkë me dijen vjen dhe përgjegjësia personale. Studentët që i kanë kryer studimet në perëndim presupozohen si të ditur dhe mjaft kompetent ne fushat e tyre. Një studenti kosovar të diplomuar në universitete prestigjioze perëndimore, bashkë me diplomën i jepet dhe përgjegjësia personale kundrejt përmirësimit te jetës së shoqërisë dhe shtetit te ri kosovar. Shmangja e kësaj përgjegjësie tregon se shoqërisë kosovare diplomat e marra prej tyre nuk i vlejnë as sa letra në të cilën janë shkruar.

I vetmi justifikim që mund të pranohet për këtë mosangaszhim mediatik nga ana e studentëve dhe intelektualëve të rinj kosovarë është ose moskokëçarja për fatin e Kosovës ose paaftësia e tyre intelektuale. Si rregull, te gjithë ata studentë që kanë mbaruar magjistratura dhe doktoratura për shkenca politike/sociale duhet të jenë në gjendje të shkruajnë një artikull me 600 fjalë. Mbase po u kërkoj shume. Por mua, tek i dëgjoj të debatojnë me njeri-tjetrin ne ekranet televizive se si punët duhet të bëhen më mirë në Kosovë, ata më japin përshtypjen se dinë seç flasin. Mbase fushën e tyre të veprimit intelektual ata kanë vendosur ta kufizojnë vetëm në ekranet televizive shqiptare dhe në kafenetë e Prishtinës, NY ose Londrës, ku duke përzier kafenë kryejnë dhe masturbimin intelektual të radhës: “Kur unë studioja në …, kur unë punoja në…, kur unë…, kur…”.

Exit mobile version