Në dokumentin e publikuar në ueb faqen e parlamentit austriak lidhur me zgjerimin e BE-së dhe konkluzionet e 25 marsit për datën e çeljes së negociatave me Maqedonisë dhe Shqipërinë, mes tjerash shkruan se “dy deklarata shoqëruese të Këshillit Evropian si edhe deklarata e Komisionit, do të përfshihen në rezymenë e akteve të miratuara, si deklarata që duhet të evidentohen në procesverbalin e Këshillit si dhe deklarata e delegacionit bullgar, e pranuar gjatë procedurës së shkrimit.
Deklarata e delegacionit bullgar
“Gjuhën që e flasin qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut mund të përmendet si gjuhë zyrtare vetëm e Republikës së Maqedonisë së Veriut, edhe atë në dokumentet-pozicionet-deklaratat e BE-së nga ana e BE-së dhe mund të interpretohet si pranim për ekzistimin e një gjuhe të posaçme të ashtuquajtur gjuhë maqedonase”.
Sipas ish-ministrit të Jashtëm, Denko Malevski bëhet fjalë për dokument të bashkëngjitur.
“Është e vërtetë se të gjitha vendet- anëtare të BE-së qëndruan pas Maqedonisë, por të gjithë e dimë se në Union vendimet merren me konsensus. Nëse bullgarët vendosin të luajnë ashpër, mund të na bllokojnë. Duhet të punojmë në përmirësimin e marrëdhënieve tona me Bullgarinë”, tha Denko Malevski- ish diplomat.
OBRM-PDUKM dokumentet e publikuara i interpreton si pjesë e konkluzioneve të Këshillit të BE-së, mes të cilave është edhe Deklarata e delegacionit bullgar. Pohojnë se Qeveria është futur në një skandal serioz, ku siç thonë, këtë dokument nënçmues, e ka fshehur 23 ditë.
“Nëse e pranon këtë qeveria e Maqedonisë, pas emrit të përmendur, atëherë duhet të heqim dorë nga pakica maqedonase, nga gjuha maqedonase si dhe nga një pjesë e madhe e historisë maqedonase”, deklaroi Aleksandar Nikollovski- OBRM-PDUKM.
Në profilin e tij në Facebook, shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov shkroi se bëhet fjalë për deklaratë unilaterale interpretuese, që i pasqyron pozicionet e një shteti- anëtar të BE-së respektivisht Bullgarisë.
“Është qartë e përmendur se kjo është pikëpamja e Bullgarisë (jo e BE-së). Dokument që vet BE nuk e publikoi në pako me konkluzionet. Pastaj, kjo deklaratë nuk ka asnjë efekt juridik ndaj përmbajtjes dhe vëllimit të vendimit të Unionit për fillimin e bisedimeve aderuese me Maqedoninë e Veriut”, shkroi në Facebook, ministri i jashtëm, Nikolla Dimitrov.
Në dokument thuhet se Bullgaria do ta japë pëlqimin e saj për Shqipërinë pasi të arrihet progres i mëtutjeshëm në garantimin e të drejtave të, siç shprehet Sofja zyrtare, pakicës nacionale bullgare në vend, sidomos në kontekst të regjistrimit të ardhshëm të popullsisë./Alsat/