Telegrafi

“Integrimi” i regjisorit Besnik Zogaj

Saranda Krasniqi

Filmi dokumentar “Integrimi” bënë fjalë për të huajt e integruar në Norvegji, gjegjësisht në qytetin Alesund, qytet ky i frekuentuar nga turistët e ndryshëm që udhëtojnë nga e mbarë bota. Gjithashtu aty tregohet edhe integrimi i të rinjve të tjerë, të cilët vijnë në këtë qytet për arsye të ndryshme, dhe për atë se çka bën udhëheqësia e qytetit për integrimin e tyre sa më të shpejtë në shoqërinë norvegjeze.

“Shtytje, për ta trajtuar dhe shqyrtuar më thellë këtë temë mjaft të rëndësishme, ishte shkolla e cila jep një kontribut shumë të madh për integrimin më të lehtë të të gjithë të rinjve, që për arsye të ndryshme janë në Norvegji dhe se asnjëherë nuk i lënë të ndihen të huaj”, i tha KNN-së regjisori Besnik Zogaj.

Zogaj ka theksuar se filmi do të realizohet në vende të ndryshme, nga ku kuptohen më mirë faktorët të cilët ndikojnë më shumë që të rinjtë të ndihen të “huaj” apo të integruar në një shoqëri, e që shpesh gjenden në udhëkryqe të kohës.

Regjisori duke jetuar edhe vet në një vend të huaj, dëshiron të paraqes vështirësitë me të cilat ballafaqohen të rinjtë në jetën e përditshme në mërgim.

“I kuptoj më lehtë ndjenjat e tyre dhe se sa e vështirë është të integrohesh në një vend ndryshe nga vendi yt dhe se si ndihesh kur dëgjon fjalën “I huaj”. Përfundimisht jam i bindur në thënien: ‘Guri i rëndë peshon në vend të vet’!”, tha për KNN-në Zogaj, i cili shpjegoi se në mesin e shumë të rinjve, pjesë e këtij filmi do të jenë edhe familjet shqiptare që jetojnë në Norvegji.

Premiera e këtij filmi pritet të shfaqet në nëntor të këtij viti në Alesund dhe pastaj do të jetë pjesë e disa festivaleve në Norvegji. Pak më vonë dokumentari do të shfaqet edhe para publikut shqiptar, në Kosovë dhe në Shqipëri.

Regjisori Besnik Zogaj pas realizimit të këtij filmi ka në plan të fillojë realizimin edhe të një filmi të shkurtër artistik, i cili synon të paraqitet në festivale të ndryshme evropiane, por edhe në ato në Kosovë dhe në Shqipëri.

Disa nga filmat e realizuar nga ky regjisor janë: “Zanatliu i fundit”, “Tingujt në Agim”, “Shpres’a”, “Dhembjet e majit”, “Tri gota”, “Shpëtimi i shekullit të sëmurë”, “Vulë fati”, etj. / Telegrafi/