Telegrafi

Instituti Sizmologjik jep detaje rreth tërmetit, drejtori Mustafa thotë se nuk ka vend për panik në Kosovë

Rreth orëve të hershme të mëngjesit në Kosovë janë ndier disa dridhje të tokës, epiqendra e të cilave thuhet se ka qenë në Shqipëri.

Lidhur me këtë, ka reaguar edhe drejtori i Institutit Sizmik të Kosovës, Shemsi Mustafa.

Përmes një postimi në Facebook, Mustafa ka bërë thirrje që të mos krijohet panik.

“Ju lutemi mos krijoni panik te qytetarët. Në orët e mëngjesit Shqipëria është goditur me tërmete të fuqishme dhe kjo është arsyeja që është lëkundur edhe territori i Kosovës e më gjerë”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Lexo po ashtu Tërmeti i fuqishëm, pamje që tregojnë dëmet që ka shkaktuar në Durrës - raportohet edhe për të lënduar

Më pas ai ka publikuar edhe një Raport të Rrjetit Sizmologjik të Kosovës.

“Duke u bazuar në Rrjetin Sizmik, Shërbimi Gjeologjik i Kosovës dhe Qendrës Sizmike Euro-Mediterane, si dhe në analizën numerike të Rrjetit Sizmologjik të Kosovës, më 26/11/2019 n’ora 03:54 sipas kohës lokale, Shqipëria është goditur nga disa tërmete me magnitude 3.1-6.3 sipas shkallës Rihter, përkatësisht me intensitet V-IX ballë të Merkalit. Epiqendra e këtij tërmeti ishte 12 km Juglindje të Durrësit, respektivisht në koordinatat: 41.40 (latituda) dhe 19.43 (longituda), ndërsa thellësia hipoqendrore ishte 12 km. Tërmeti në fjalë ishte i fuqishëm dhe është ndier dukshëm nga qytetaret e Kosovës dhe tërë rajonit”, thuhet në raport.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet rreth tërmetit të sotëm në Shqipëri

Ndryshe, sipas të dhënave jo zyrtare thuhet se dridhjet janë ndjerë edhe në Shqipëri, Maqedoni, Serbi e Mal të Zi.

Nga panika qytetarë të shumtë në Prishtinë dhe qytete të tjera në Kosovë kanë dalë jashtë nga shtëpitë dhe banesat e tyre. /Telegrafi/