Rreth orëve të hershme të mëngjesit në Kosovë janë ndier disa dridhje të tokës, epiqendra e të cilave thuhet se ka qenë në Shqipëri.
Lidhur me këtë, ka reaguar edhe drejtori i Institutit Sizmik të Kosovës, Shemsi Mustafa.
Përmes një postimi në Facebook, Mustafa ka bërë thirrje që të mos krijohet panik.
“Ju lutemi mos krijoni panik te qytetarët. Në orët e mëngjesit Shqipëria është goditur me tërmete të fuqishme dhe kjo është arsyeja që është lëkundur edhe territori i Kosovës e më gjerë”, ka shkruar Mustafa në Facebook.
Më pas ai ka publikuar edhe një Raport të Rrjetit Sizmologjik të Kosovës.
“Duke u bazuar në Rrjetin Sizmik, Shërbimi Gjeologjik i Kosovës dhe Qendrës Sizmike Euro-Mediterane, si dhe në analizën numerike të Rrjetit Sizmologjik të Kosovës, më 26/11/2019 n’ora 03:54 sipas kohës lokale, Shqipëria është goditur nga disa tërmete me magnitude 3.1-6.3 sipas shkallës Rihter, përkatësisht me intensitet V-IX ballë të Merkalit. Epiqendra e këtij tërmeti ishte 12 km Juglindje të Durrësit, respektivisht në koordinatat: 41.40 (latituda) dhe 19.43 (longituda), ndërsa thellësia hipoqendrore ishte 12 km. Tërmeti në fjalë ishte i fuqishëm dhe është ndier dukshëm nga qytetaret e Kosovës dhe tërë rajonit”, thuhet në raport.
Ndryshe, sipas të dhënave jo zyrtare thuhet se dridhjet janë ndjerë edhe në Shqipëri, Maqedoni, Serbi e Mal të Zi.
Nga panika qytetarë të shumtë në Prishtinë dhe qytete të tjera në Kosovë kanë dalë jashtë nga shtëpitë dhe banesat e tyre. /Telegrafi/