Site icon Telegrafi

Instituti prestigjioz amerikan: Serbia ta njohë Kosovën dhe të mos e pengojë themelimin e ushtrisë

Duhet t’i bëhet e qartë Serbisë se nuk mund të anëtarësohet në BE pa e njohur Kosovën dhe se nuk mund ta pengojë Kosovën të bëhet anëtare, nëse Serbia anëtërsohet fillimisht, thuhet në raportin e Komitetit Kombëtar Amerikan për Politika të Jashtme.

Në këshillat që jepen për diplomacinë amerikane në raport me Ballkanin Perëndimor theksi vihet edhe tek nxitja e Bashkimit Europian për ta kthyer në agjendë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, si edhe krijimi i Ushtrisë të Kosovës, e pajisur me armatim të lehtë, pa iu lejuar vetoja Serbisë (në këtë çështje).

I titulluar “Koha për Veprim në Ballkanin Perëndimor – Përshkrim politikash për diplomacinë amerikane”, ky raport 24 faqësh – ndër autorët e të cilit është Frank Wisner, dikur ndërmjetës i diplomacisë amerikane në bisedimet për statusin final të Kosovës – përmend ngecjen e implementimit të marrëveshjeve të arritura mes dy vendeve si tregues i rrezikshëm i kthimit në një konflikt të ngrirë të mosmarrëvshjeve mes Kosovës dhe Serbisë.

“NATO duhet të punojë me shtetin e Koovës për krijimin e një force ushtarake të vogël, të pajisur lehtë, me tipare mbrojtëse. Ky proces duhet të rrjedhë përmes dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, por Serbisë nuk duhet t’i jepet e drejta e vetos”, thuhet në raport.

Bashkautorët tjerë janë personalitete eminente: Dr. Thomas E. Graham, Jonathan E. Levitsky, Ambasadori Cameron P. Munter, ndërsa kontribut kanë dhënë edhe Mark D. Stadnyk dhe Stephen C. Whittaker.

Këshillohet që palët të kthehen në tryezën e diskutimeve, pasi të kenë nisur zbatimin e marrëveshjeve dhe të ecin drejt normalizimit të raporteve, që në shkallë të fundit do të thotë njohje e Kosovës nga Serbia.

Veç këtyre dimensioneve, këshillohet funksionalizimi i Gjykatës Speciale dhe mospengimi i saj, ndërsa BE-ja dhe SHBA-ja të punojnë në riafirmimin e rrugës europiane të Kosovës, megjithëse mbetet shumë për t’u bërë në këtë rrugëtim, njofton Klan Kosova.

Para se të hyjë në BE, Serbisë duhet t’i kërkohet njohja e Kosovës. Nëse Serbia anëtarësohet përpara shtetit tonë, nuk duhet t’i lejohet pengimi i anëtarësimit të Kosovës në BE.

Exit mobile version