Site icon Telegrafi

Instituti për studime ekonomike i Vjenës: Kriza ekonomike në Maqedoni, rezultat i gabimeve të Qeverisë

Rritje ekonomike modeste në dy vitet e ardhshme për Maqedoninë e Veriut, thuhet në raportin e fundit të Bankës Botërore për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke ulur edhe parashikimet për rritjen e BVP-së për këtë vit në 1.8%, e cila në krahasim me raportin e pranverës është 0.6% më pak.

Ndërkohë që qeveritarët po sigurojnë se masat ekonomike po japin rezultate dhe kanë sjellë inflacion një-shifror, ekspertët vlerësojnë se edhe Banka Botërore ishte optimiste në parashikimet e saj, pasi vendi është në krizë dhe gjendja ekonomike nuk është aspak e mirë.

Për Branimir Jovanoviq nga Instituti për Studime Ekonomike i Vjenës, asgjë nuk është e papritur e as e re në parashikimet e Bankës Botërore, madje sipas tij Banka Botërore është treguar optimiste duke parashikuar rritje prej 1.8% për këtë vit dhe 2.5% për vitin e ardhshëm, derisa instituti ynë ka 1.6% për këtë vit dhe 2% për vitin e ardhshëm.

“Ata thonë vetëm atë që është më se e dukshme, se gjendja ekonomike në vend nuk është e mirë. Ata janë në anën optimiste dhe sa i përket inflacionit, me parashikim prej rreth 9% për këtë vit, ndërsa ne parashikojmë 10%”, u shpreh Jovanoviq në deklaratë për media duke vlerësuar se edhe përkundër dallimeve të vogla të dyja parashikimet kanë të njëjtin mesazh, krizën në vend.

“Kjo pjesërisht është pasojë e ngadalësimit global dhe inflacionit, por në masë të madhe është pasojë e gabimeve të qeverisë në sferën ekonomike”, tha ai.

Sipas Bankës Botërore, rritja ekonomike filloi të ngadalësohet në tremujorin e dytë të vitit dhe nga një rritje prej 2.1% në tremujorin e parë, ajo pësoi rënie deri në 1.1%. Nëse marrim të dhënat e nëntëmujorit të parë dhe i krahasojmë me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kur inflacioni ishte 11.3%, vërejmë se inflacioni ka shënuar rënie por përsëri mbetet i lartë, pasi parashikimet e Bankës Botërore janë që deri në fund të vitit inflacioni të arrijë në 9.1%.

Marzha e lartë tregtare si dhe presioni i shkaktuar nga rritja e pagave, do ta vështirësojnë uljen e inflacionit, ndërsa problem shtesë është deficiti i lartë buxhetor, i cili lë pak hapësirë për krijimin e rezervave në rastet e një situate krize. Banka Botërore ka vënë në dukje edhe rritjen e shpejtë të pagave, sipas të cilës, ata po rriten më shpejt se inflacioni dhe po kontribuojnë që rënia e inflacionit të ecë me hapa të ngadalta.

Jovanoviq vlerëson se inflacioni në vend është më i larti në gjithë rajonin, dhe kjo si pasojë e masave jokonsistente të qeverisë.

“Ku i ka ngrirë çmimet, ku i ka shkrirë, ku e ka ngritur TVSH-në. Për çdo hap përpara, qeveria ka bërë dy hapa mbrapa, inflacioni nuk kontrollohet në këtë mënyrë”, thekson ai duke shtuar më tej se nuk mund të presësh rritje ekonomike në rastet kur inflacioni ka arritur në 10% ndërsa refuzon rritjen e pagave, pensioneve, ndihmës sociale./Koha.mk/

Exit mobile version