Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” me anë të një reagimi publik kërkon nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës që të përfshijë direktivat e Bashkimit Evropian në Ligjin e ri të Punës.
Sipas institutit, mospërfshirja e këtyre direktivave në Ligj dëmton të drejtat dhe sigurinë e punëtorëve.
“Qeveria është dashur që të miratojë iniciativën për plotësim-ndryshimin e Ligjit të Punës dhe ta dërgojë atë për trajtim të mëtutjeshëm në Kuvendin e Kosovës. Vonesat në iniciativat legjislative shkojnë në dëm të punëtorëve, prandaj institucionet duhet ta trajtojnë këtë çështje me urgjencë”, thuhet në reagimin e institutit.
IPS po ashtu vlerëson që Kosova ka nevojë për një Ligj të ri të Punës.
“Iniciativa për plotësim-ndryshimin e ligjit ekzistues lë shumë zbrazëtira dhe nuk adreson shumë probleme me të cilat përballen punëtorët sot në Kosovë”, vlerëson IPS.
Në fund, instituti inkurajon Qeverinë e Kosovës që të ketë qasje më progresive në vendimet që lidhen me të drejtat e punëtorëve. /Telegrafi/