Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me botimin e teksteve të përbashkëta alternative të historisë së popujve të Ballkanit, projekt në të cilin ishin të përfshirë edhe tre studiues nga Kosova.
Instituti i Historisë thekson se në debatet që të cilët po shoqërohen me akuza e kundërakuza, e shohim të arsyeshme të sqarojmë për opinionin e gjerë se asnjëri prej tre historianëve të apostrofuar (Jusuf Bajraktari, Fehmi Rexhepi dhe Frashër Demaj) nuk është dërguar nga Instituti.
“Pjesëmarrja e tyre nuk është diskutuar asnjëherë në Këshillin Shkencor të Institutit, andaj edhe nuk kanë pasur ndonjë miratim apo pëlqim nga organet e institucionit edhe pse të apostrofuarit ishin pjesë udhëheqëse e institucionit (dy prej tyre, ish-drejtorë dhe tjetri, sekretar shkencor).
Pse dhe si janë përzgjedhur nga CDRSEE, pikërisht këta historianë, ne nuk kemi fare njohuri. Instituti i Historisë nuk ka të drejtë ligjore t’ua ndalojë asnjërit prej punonjësve të vet që të marrin pjesë në projekte të ndryshme në cilësinë e ekspertit të pavarur”, thuhet në njoftim.
Sa i përket përmbajtjes së teksteve, Instituti i Historisë thotë se nuk pajtohet me përmbajtjen e tyre.
“Në këtë kontekst, kërkojmë nga institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës, e në veçanti nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, që të kemi një qëndrim të përbashkët”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/