Në periudhën mars-maj 2020, kur ishin ndalur shumica e aktiviteteve në sektorin privat dhe atë publik në Kosovë për shkak të pandemisë COVID-19, të hyrat buxhetore ishin për 133 milionë euro apo 28.2 për qind më të ulëta së në periudhën e njëjtë të vitit paraprak, ndërsa shpenzimet për 4.7 milionë euro apo vetë 1 për qind më të ulëta.
Kështu thuhet në raportin “Ndikimi i pandemisë COVID-19 në buxhetin e Kosovës“, prezantuar nga Instituti për Studime të Avancuara GAP, përcjell Telegrafi.
“Rënia e të hyrave krahas rritjes së shpenzimeve, do të bëjë që për herë të parë të tejkalohet rregulla e deficitit buxhetor. Me gjithë rritjen e deficitit, Kosova pritet ta ketë nivelin më të ulët të borxhit publik në rajon”, thuhet në raport.
Sipas GAP-it, edhe pse është planifikuar rritja e shpenzimeve, kategoria e investimeve kapitale si një kategori e cila ndihmon në rritje më të shpejt ekonomike, pritet të ketë një rënie të theksuar krahasuar me planifikimin.
“Kjo është kryesisht për shkak të nevojës për ndihmë ndaj sektorit privat, ka një rritje të theksuar të subvencioneve. Megjithëse e nevojshme, rritja e subvencioneve si një nga kategoritë më pak të rregulluara ligjërisht, mund të krijojë hapësirë për abuzim të parasë publike. Për të adresuar situatën ekonomike dhe sociale të krijuar si pasojë e masave për ndaljen dhe kufizimin e punës së shumicës prej bizneseve në sektorin privat, Qeveria e Kosovës miratoi një Pako Emergjente Fiskale me vlerë prej 179.6 milionë euro. Kjo pako përmban kryesisht masa afatshkurta për adresimin e problemeve të shkaktuara nga COVID-19. Në programin qeverisës 2020-2023, Qeveria e Kosovës ka paraparë edhe një pako të dytë për Rimëkëmbje Ekonomike ku brenda dy vitesh (2020-2021) planifikon të moblizojë rreth 1.2 miliardë euro”, thotë GAP.
Në fund, GAP njofton se, për shkak të kufizimeve ligjore, Pako Emergjente Fiskale dhe ajo e Rimëkëmbjes nuk do të mund të menaxhohen tërësisht pa përfshirjen e Kuvendit të Kosovës. Përveç nevojës për aprovim të Kuvendit për çdo transfer që tejkalon 25 për qind të një ndarje buxhetore të institucionit përkatës, përfshirja e Kuvendit do të nevojitet edhe për miratim të marrëveshjeve të reja kreditore me 2/3 e votave të deputetëve. /Telegrafi/