Instituti GAP në një konferencë për media ka prezantuar analizën “Taksa 100%: A po e ndihmon apo dëmton ekonominë e Kosovës?”, ku u tha se nuk i ka sjellë përfitime Kosovës.
Berat Thaqi nga instituti GAP, tha se në dy muajt e fundit kanë analizuar efektet ekonomike nga taksa, ku nuk kanë vërejtur rritje të ekonomisë së vendit.
“Kjo taksë e vendosur në nëntor nuk është hartuar mirë. Nuk kemi parë ndonjë përfitim të vendit. Ne e kemi shikuar edhe atë se a rrezikohet marrëveshja e CEFTA-së, dhe a ka mundësi Serbia të padis Kosovën. Kosova nuk e ka shkelur Marrëveshjen e CEFTA-së, sepse Serbia me themelimin e ushtrisë e ka kërcënuar Kosovën me luftë. Taksa nuk e ka ndihmuar rritjen e prodhimit vendor. Tek çmimet e prodhimeve e konsumit dhe pijeve kemi pasur rritje të shpejtuar. Me hyrjen në fuqi të taksës, shumë biznese i kanë rritur çmimet”, tha ai.
Ai po ashtu tha se Kosova duhet të kërkojë negocimin e marrëveshjes së CEFTA-së.
Ndërkaq, Blend Hyseni tha se shumica e kontrabandës me produktet nga vendet për të cilat është vendosur tarifa, po bëhet përmes vendeve të rajonit.
“Importi i përgjithshëm ka vazhduar të rritet. Vazhdojnë dyshimet se prodhimet e Bosnjës dhe Serbisë po vazhdojnë të hyjnë në Kosovë përmes vendeve rajonale. Nuk ka pasur një efekt në eksporte”, tha Hyseni.
Kujtojmë se 21 nëntor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës e kishte vendosur tarifën prej 100 për qind për produktet që vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. /Telegrafi/