Komuna e Prishtinës ka harxhuar rreth 7 milionë euro për realizimin e investimeve kapitale, derisa realizimi i këtyre projekteve për gjashtë mujorin e parë të këtij viti ka qenë 16 për qind.
Kështu thekson Instituti për Studime të Avancuara GAP, në raportin e saj të fundit mbi përmbushjen e premtimeve të kryetarëve të komunave.
Sipas GAP-it, Malisheva është komuna që ka numrin më të lartë të realizimit të projekteve për këtë periudhë, pra me 79 për qind. Kjo komunë deri më tani ka harxhuar 4.4 milionë euro.
Aty thuhet se Peja, Suhareka, Istogu, Fushë Kosova, Kamenica, Dragashi, Vushtrria, Novobërda, Ranilluga, Shtërpca dhe Hani i Elezit janë komunat që realizimin e projekteve kapitale e kanë nën nivelin e 10-përqindëshit. Derisa Komuna e Kllokotit është me zero për qind të realizimit të këtyre projekteve.
Instituti GAP thotë se për katër komunat veriore – Mitrovica e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – nuk ka të dhëna.
Buxheti i të gjitha komunave të Kosovës për vitin 2023 është 658 milionë euro, krahasuar me një vit më herët, është rritur për 102 milionë euro.
Gjithashtu, theksohet se 35 për qind e premtimeve që dhanë kryetarët e komunave në zgjedhjet komunale, as nuk kanë filluar të përmbushen, ndërsa janë përmbushur 26 për qind, gjysmë të përmbushura konsiderohen 16 për qind e 23 për qind e tyre kanë filluar të përmbushen.
Hulumtimi thotë se numri më i madh i premtimeve të përmbushura janë nga fusha e arsimit, kulturës, ekonomisë dhe shërbimeve publike, kurse numri më i vogël i premtimeve të përmbushura thuhet se është nga fusha e urbanizimit, sportit dhe infrastrukturës.
Te fusha e arsimit prijnë përmbushja e premtimeve në ofrimin e bursave, në krijimin e kabineteve dhe laboratorëve, në mirëmbajtjen e hapësirave shkollore, transparencës në përzgjedhjen e stafit, si dhe mbulimin e transportit për nxënësit.
Për sa përket përmbushjes së premtimeve për fushën e ekonomisë, disa nga këto ndërlidhen me mbështetjen e bizneseve të reja, krijimin e zyrave për biznes dhe mbështetjen e bizneseve në promovimin e produkteve të tyre. Kurse, te fusha e shërbimeve publike, parkingjet për automjete, shënjëzimi dhe sinjalizimi në komunikacion, ndriçimi publik, si dhe zgjerimi i hapësirave të gjelbërta, janë ndër premtimet që janë përmbushur nga më shumë kryetarë të komunave.
Në fushën e kulturës, janë përmbushur premtimet si organizimi i festivaleve dhe manifestimeve të ndryshme, ndarja e mjeteve buxhetore për mbështetjen e aktiviteteve teatrale, atyre të galerive dhe organizimeve të tjera kulturore. /Telegrafi/