Instituti EPIK ka thënë se Kosova duhet të bashkohet suksesit të rajonit përmes dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian.
Në një njoftim për media, EPIK thekson se mbështetja e kancelares gjermane, Angela Merkel vjen në kohën kur pritet emërimi i dërguarit të veçantë për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë dhe në një kohë të vëmendjes së shtuar të SHBA-se për dialogun.
Lexoni të plotë njoftimin e instituti EPIK:
Dje, Kancelarja Merkel ka shfaqur mbështetjen e saj për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë të udhëhequr nga Bashkimi Evropian.
Mbështetja e Kancelares Merkel vije në një kohë kur pritet emërimi i dërguarit të veçantë për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë. Po ashtu, kjo mbështetje vije në një kohë të vëmendjes së shtuar të SHBA-se për dialogun.
Këto zhvillime bëhen në sfondin e një intensifikimi të vëmendjes politike të BE-së për të përkrahur arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshëm për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë e cila do të hap rrugë për anëtarësim në BE.
Rritja e interesit politik të BE-së për avancimin e dialogut Kosovë-Serbi është në përputhje me angazhimin e shtuar të BE-së, dhe SHBA-ve, në Ballkanin Perëndimor pas arritjes së Marrëveshjes së Prespa-së dhe shtyrjes së reformave të pa precedentë në sistemin e drejtësisë në Shqipëri me qëllim të nisjes së negociatave të anëtarësimit në BE.
Sot, Këshilli i Bashkimit Evropian për Çështje të Përgjithshme ka vendosur të hap negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Vendimi i sotëm është dëshmi e fuqisë politike të BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe vulos orientimin strategjik të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE.
Në këtë drejtim, Instituti EPIK bënë thirrje të gjithë spektrit politik të Kosovës të bashkëngjiten suksesit të vendeve të rajonit në ndërmarrjen e reformave të kërkuara nga BE-ja me qëllim të avancimit të rrugës integruese të Kosovës. Në këtë drejtim, dëshirojmë të nënvizojmë rendësin jetike që BE-ja ka në udhëheqjen e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në me Kosovës dhe Serbisë.
E ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian. BE mbetet larg mbështetës më i madh financiar dhe ekonomik i Kosovës dhe rajonit. Anëtarësimi në BE është konsensus më sublim i qytetarëve të vendit, me ç’rast 90% e qytetarëve dëshirojnë anëtarësimin në BE.
Prandaj, Instituti EPIK fton të gjithë spektrin politik për krijimin e unitetit të brendshëm për avancimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve si kriter kyç formal për të jetësuar aspiratat e qytetareve të Kosovës për anëtarësim në BE.
Njëkohësisht, ftojmë spektrin politik që të tregojnë pjekurinë dhe guximin politik për të ulur në tavolinë me qëllim të definimit të interesave kyç të shtetit të Kosovës në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. I gjithë spektri politik duhet të tregoj unitet të plotë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, pasi që dialogu nuk do të merr fund me asnjë qeveri të vetme. Arritja e një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë do të jetë fillimi i normalizimit të marrëdhënieve mes të dy vendeve – jo fundi i tij.
Në fund, bëjmë thirrje që të mos keqpërdoret dialogu për normalizimin e marrëdhënieve të udhëhequr nga BE-ja për konfrontim me aleat të shenjtë të Kosovës: BE-në, SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar. Historia ka dëshmuar se Kosova ka fituar çdo herë kur ka qenë shtyllë unifikuese e aleatëve të shenjtë perëndimor – jo faktor përçarës”. /Telegrafi/