Telegrafi

Instituti Epik flet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Ekipin Negociator

Instituti Epik ka reaguar pas publikimit të sotëm të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, lidhur me Ekipin Negociator për dialogun Kosovë-Serbi.

Në një njoftim për media, ky institut thekson se me këtë vendim, Gjykata Kushtetuese sërish tregoi se Kushtetuta, jo teket e pasionet politike, duhet të komandojnë jetën tonë publik.

Lexo po ashtu Kushtetuesja aprovon kërkesën e LDK-së dhe VV-së: Ekipi negociator është antikushtetues

Sipas Institutit Epik në Aktgjykim qartë vihen në spikamë disa cilësi të sistemit tonë kushtetues, të cilat në vazhdimësi janë vënë në dukje, nga ky institut.

“Cilësia e parë ka të bëj me natyrën e sistemit kushtetueses të Kosovës dhe vendeve përreth. Kosova ka një demokraci kushtetuese parlamentare, ku pushteti buron nga populli, i cili ngelet sovran çdoherë , dhe ushtrohet përmes organeve përfaqësuese dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë ku ka nevojë. Cilësia e dytë e kësaj demokracie, të cilës sot e konstatoj

Gjykata Kushtetuese, është se demokracia jonë nuk është demokraci popullore e shumicës por demokraci kushtetuese ku kuvendi si organi kryesor përfaqësues i popullit shërben si zinxhiri legjitimes i krejt organeve tjera, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose në mënyrë të tërthorët. Cilësia e tretë e demokracisë kushtetuese kosovare është ndarja e balancimi i pushteteve, ku secili pushtet i ka kompetencat e veta kushtetuese, të cilat balancojnë njëra tjetrën, dhe ku asnjë organ nuk është më i lartë dhe më suprem se tjetri. Vetëm Kushtetuta është supreme, asnjëherë asnjë organ tjetër dhe asnjë vullnet politik i shprehur jashtë kuadrit kushtetues.

Cilësia e katër e Aktgjykimit ka të bëj me anulimin e ligjit për dialogun dhe të vetë trupit kryesor dialogues, të ashtuquajturin Delegacion Shtetëror, sepse është formuar jashtë parametrave kushtetues dhe si një organ i posaçëm me një mandat të vjedhur kushtetues: as Shefit të Shtetit të Kosovës e as këtij Delegacioni nuk i takon e drejta për të dialoguar, por vetëm ekzekutivit të Kosovës, nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të Kuvendit për aq sa dialogu prek çështjet nga neni 18.1 dhe neni 20 i Kushtetutës.

Shefi i Shtetit, e tha Gjykata Kushtetuese, eventualisht mund të konsultohet. E konsultimi, siç dihet , nuk ka një efekt juridik por më shumë kurtuazie për të respektuar njërin prej organeve ceremoniale dhe që simbolizon Shtetin e Kosovës në aspektin krejt formal e ceremonial.

Cilësia e pestë dhe e fundit është se ky Aktgjykim e ka bërë të qartë përtej çdo dyshimi, siç e ka thënë Instituti EPIK me kohë, se vetëm kuadri kushtetues, jo pasionet e ambiciet personale, duhet të shërbej si pikë referimi për dialogun tonë me Serbinë”, thuhet në njoftimin e Institutit Epik.

Nërsa Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se kërkesa e bërë nga deputetë është pranuar, dhe se delegacioni shtetëror i cili është themeluar me Ligjin e kontestuar nuk është i paraparë me Kushtetutë dhe nuk i është paraparë brenda formës së qeverisjes dhe ndarjes së pushtetit./Telegrafi/