Instituti ATOMI ka filluar zbatimin e Projektit “Mbështetje për hartimin e një strategjie të mirë-planifikuar për digjitalizimin e sistemit të arsimit në Kosovë”, i cili realizohet me fonde të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë.
Ky projekt do të zbatohet në bashkëpunim të plotë me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH) të Republikës së Kosovës. Bazuar në nevojat dhe prioritet e MASH-it dhe me qëllim të mbështetjes së ministrisë për këto nevoja e prioritete, ky projekt përbëhet nga dy pjesë:
1. Hartimi i Planit dhe Udhëzimeve për përgatitjen dhe ofrimin e eMësimit – mësimit në distancë për klasat 1–9 për vitin shkollor 2020-2021 në Kosovë, i cili do të zbatohet nga MASH.
Ky plan do të jetë një dokument praktik dhe i detajuar, i hartuar bazuar në përvojën dhe praktikën e eMësimit të ofruar gjatë periudhës mars-qershor 2020 në Kosovë, normalisht duke propozuar zgjidhje të reja për shumë probleme e të meta që e kanë përcjellë këtë proces gjatë gjysmës së parë të vitit 2020, në mënyrë që eMësimi që ofrohet për vitin shkollor 2020- 2021 të jetë më mirë i përgatitur, më gjithëpërfshirës dhe më cilësor.
2. Hartimi i Strategjisë për Digjitalizimin e Sistemit të Arsimit në Kosovë, e cila do të miratohet dhe zbatohet nga MASH. Ky dokument do të jetë një strategji pesëvjeçare së bashku me planin e zbatimit dhe kornizën e monitorimit të strategjisë. Strategjia do të hartohet nga një ekip i ekspertëve më të mirë vendorë të fushës së arsimit dhe të teknologjisë, të angazhuar nga Instituti ATOMI, duke përfshirë të gjitha palët me rëndësi dhe palët me interes gjatë procesit të hartimit të saj.
Kjo strategji do të jetë e mirë-planifikuar, e qartë, realiste dhe e zbatueshme. Normalisht edhe ambicioze. Bazuar në nevojat, mundësitë dhe burimet potenciale në dispozicion që ka vendi dhe institucionet tona arsimore të të gjitha niveleve, kjo strategji do të përfshijë digjitalizimin e shërbimeve, proceseve, administratës, dokumenteve, databazave, materialeve mësimore, etj. që lidhen me fushën e arsimit në të gjitha nivelet.
Zbatimi i kësaj strategjie pritet t’i kursejë vendit, institucioneve e qytetarëve shumë kohë, energji e burime njerëzore, rrjedhimisht edhe financa; do të mundësonte hartim të politikave arsimore e vendimmarrje të mirë-bazuar në të dhëna; do të reduktonte ndërhyrjet jo-profesionale të çfarëdollojshme dhe gabimet teknike e përmbajtësore në proceset që kanë të bëjnë me arsimin; do të kontribuonte në rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe mësimnxënies në përgjithësi; do të kontribuonte në promovimin dhe zhvillimin e fushës së teknologjisë në vend, etj..
Instituti ATOMI i shprehë falënderim Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar dhe Ambasadës Britanike në Prishtinë për mbështetjen e ofruar dhe për besimin e treguar për organizatën tonë, duke e përzgjedhur Institutin ATOMI si partner zbatues të këtij projekti shumë të rëndësishëm!
Në të njëjtën kohë, Instituti ATOMI falënderon Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH) për interesimin e shprehur dhe për bashkëpunimin e ofruar për Institutin ATOMI për nevoja të realizimit të këtij projekti!
Me këtë rast Instituti ATOMI zotohet se do ta zbatojë këtë projekt në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, duke shpresuar që dokumentet e hartuara nga ky projekt do të zbatohen dhe kësisoj do të fillojë një epokë e re, gjatë të cilës sistemi i arsimit në Kosovë do të transformohet për të mirë.