Instituti Albanologjik ka refuzuar kërkesën që shtatorja e atdhetarit Anton Çeta të vendoset në oborrin e institutit.
Hysen Matoshi, drejtor në këtë institucion, kundërshtimin e kërkesës e arsyeton më mungesën e hapësirës.
“Është fjala për një hapësirë të papërshtatshme për vendosjen e çfarëdolloj shtatoreje, meqë hapësira ku pretendohet të vendoset shtatorja është shumë e ngushtë. Në këtë hapësirë më herët ky këshill kishte siguruar lejen e Departamentit të Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, por është e papërshtatshme, madje aty kalojnë edhe gypat e Institutit Albanologjik”.
Sipas tij, shtatorja e një figure siç është Anton Çeta duhet të vendoset në një shesh më të madh dhe më të përshtatshëm.
“Kemi konsideruar se është detyrë e organeve kompetente komunale apo qendrore, të gjejnë një hapësirë më të përshtatshme, një shesh që mundë të emërohej “Sheshi i Pajtimit – Anton Qeta”. Kjo ka qenë ideja jonë e atëhershme dhe ide e përsëritur sërish”, ka deklaruar për RTV Dukagjinin, Hysen Matoshi.
Kërkesa për vendosjen shtatores para ndërtesës së këtij instituti u bë me datë 7 shkurt të këtij viti nga Këshilli Organizativ. Refuzimi i kësaj kërkesës nga ana e drejtuesve të Institutit të Albanologjisë ngjalli reagime të shumta. Rrjeti social facebook u vërshua me statuse të shumta, ku vendimi u cilësua si fyerje karshi figurës së ndritur të veprimtarit, ndërsa arsyetimi, qesharak.
Ndryshe, fondi prej 70 mijë eurosh për realizimin e shtatores është ndarë këtë vit nga Qeveria dhe mjetet janë në dispozicion që nga fillimi i këtij viti./Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=Vi6bdxBTG-E&feature=youtu.be