Telegrafi

Institucionet e Shqipërisë dhe Kosovës, pengesë për shkëmbimet tregtare

Për këtë arsye, biznesi ka kërkuar së fundi që në pikën kufitare të Morinës të përmirësohen sa më shpejtë procedurat e hyrje-daljeve në këtë doganë.

Konfederata e Industrisë përmes një reagimi, kërkon që të përmirësohen procedurat kohore. Duke pasur parasysh, se koha është pjese kryesore e kostove të transportit dhe shpërndarjes së prodhimeve dhe shërbimeve, Konfindustria shprehet se vonesat në kufirin e përbashkët Shqipëri-Kosovë i japin goditje të rënda, afatgjatë dhe të njëkohshme ekonomive të dy vendeve, raportoi Start.

Administratori i këtij institucioni, Gjergj Buxhuku thotë se rritja e kostove të shpërndarjes dhe transportit ul ndjeshëm fuqinë konkurrente të prodhimeve dhe shërbimeve të Shqipërisë dhe Kosovës duke i dhënë përparësi vendeve të treta konkurrente në tregti në rajon dhe më gjerë.

“Duhet të kemi parasysh, se me uljen e fuqisë konkurruese të mallrave dhe shërbimeve të përbashkëta jepet një goditje tjetër në uljen e masës së përgjithshme të shkëmbimeve tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës”, thekson ai.

Buxhuku shprehet se rritja e paarsyeshme e kostove të transportit si pasoje e vonesave doganore vetëm për shkaqe lehtësisht të parashikueshme dhe të zgjidhshme është goditje e pastër, që i jepet krijimit të tregut të përbashkët shqiptar prej shtatë milionë konsumatorësh si qëllimi strategjik dhe mundësia më e mirë për zhvillim ekonomik të shpejtë dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve të Shqipërisë dhe Kosovës. /Telegrafi/