Site icon Telegrafi

Institucionet e Kosovës shpenzojnë 2.6 milionë euro për goma të automjeteve (Dokument)

Me afrimin e sezonit dimëror, kanë filluar edhe përgatitjet e institucioneve për furnizim me goma për automjetet në pronësi publike. Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP), ka përzgjedhur këtë javë kompaninë që do të furnizojë 79 institucione të vendit me goma për automjete.

Vlera e kontratës për furnizim me goma për këto institucione peshon hiç më pak se 2 milionë e 683 mijë e 962 euro, raporton ORAinfo.

Në njoftimin e dhënies për kontratë shihet se AQP këtë javë ka përzgjedhur kompaninë “Bibaj AE & Bibaj” për furnizim me goma. Në këtë tender kanë aplikuar tre kompani, përderisa oferta më e shtrenjtë është ajo në vlerë prej 2 milionë e 805 mijë e 835 euro.

Kontrata për furnizim me goma është kornizë në afat prej tre vjet.

Në përshkrimin e lëndës së kontratës thuhet se “qëllimi i këtij aktiviteti të prokurimit është furnizimi me shumëllojshmëri të gomave të automjeteve për AK që duhet të jenë me cilësi të lartë dhe do të përdoren në modele të ndryshme automjeteve në të gjitha kushtet e motit si verore dhe dimërore si dhe ndërrimi (montimi) i gomave, balancimi dhe ruajtja e gomave (hotelimi)”.

Ndryshe, sipas një dokumenti të AQP-së, shihet se numri total i vlerësuar i automjeteve publike të Kosovës është 9171 automjete.

“Çdo automjet ka kompletin e vet të gomave verore dhe dimërore që bashkërisht janë 8 goma. Periudha e ciklit funksional të gomave verore është 80 000 km ndërsa për goma dimërore rreth 50 000km. Duke e vlerësuar me një vjetore te ciklit funksional prej 40 000 km, ndryshimi i gomave duhet të bëhet çdo tri vite kështu që kërkesa është 24 456 copë”, thuhet në listën e artikujve të përbashkët të hartuar nga AQP. /ORAinfo/Telegrafi/

Exit mobile version