Site icon Telegrafi

Institucionet e Kosovës, pa ligjshmëri

Erdhi edhe një valë e auditimeve/kontrolleve të brendshme të institucioneve qeverisëse dhe shkoi. Edhe kësaj radhe, auditimet nuk treguan asgjë të re, përveç se situata e menaxhimit të institucioneve qeverisëse është edhe më e dobët se çfarë ishte më përpara, se situata e drejtimit të këtyre institucioneve është edhe më e korruptuar. Në fakt, përveç shumë gjërash, auditivet treguan që institucionet qeverisëse të Kosovës janë jashtë sistemit, janë jashtë kontrollit, janë jashtë ligjshmërisë në punën e tyre. Treguan që situata në institucionet qeverisëse të Kosovës është e tillë ku secili zyrtar e shërbyes civil, praktikisht, mund të vjedhë çfarë të dojë e sa të dojë dhe të mos ndëshkohet. Përkundrazi, të avancohet e promovohet.

Auditimet e fundit treguan që në institucionet qeverisëse të Kosovës çdo që është jashtë rregullit, çdo gjë është jashtë sistemit. Auditimet treguan që institucionet qeverisëse të Republikës së Kosovës nuk funksionojnë në sistem, që nuk e njohin sistemin. Dhe, askush nuk po brengoset për këtë. Asnjë medium, asnjë parti politike, asnjë organizim i shoqërisë civile, asnjë individ. Bile, as pushteti i PDK-së. Ndërsa kreu u Zyrës së Auditimit të Përgjithshëm, njëfarë suedezi, vetëm dha vërejtje që në Kosovë nuk ka qeverisje të mirë.

Nuk shkoi shumë kohë pas kësaj dhe kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, i ardhur në këtë pozitë nga vjedhja masive e votave në zgjedhjet e përgjithshme të 12 dhjetorit 2010, bashkë me PDK-në në pushtet, ndërmori disi, më në fund, një veprim për vendosjen e rendit dhe të ligjit në veriun e Kosovës, më saktësisht, në pikat kufitare 1 dhe 31 me Serbinë. Në ditët në vijim do të shihet se cili ishte ndikimi i këtij veprimi, nëse veprimi ishte dhe do të mbetet i suksesshëm, pra në vendosjen e rendit dhe të ligjit, apo ishte manovrim e akrobacion dëshpërues i Hashimit dhe i PDK-së me çka do të ishte autogoditja e fundit vdekjeprurëse për këtë pushtet.

Sido që të bëhet në ditët në vijim, kryeministri Hashim Thaçi dhe pushteti i PDK-së, për herë të parë e shijuan ndjenjën e përkrahjes masive popullore, të krejt shoqërisë së Kosovës, duke filluar nga individët e deri te partitë politike. Më duket që kjo do të jetë hera e parë që Hashim Thaçi dhe PDK do ta ndjejnë përkrahjen popullore në momentin kur Kosova qeveriset siç duhet. Nëse mund të shkojë më tej, ndoshta vendosja e rendit dhe e ligjit në këto pika kufitare mund të dështojë për shkak që ne, si shoqëri, mund “t’i marrim mësysh” nga lavdi.

Në anën tjetër, ka të tillë që këtë përpjekje të kryeministrit e shohin si tentim dëshpërues dhe zhgënjyes me të marrë lajmin se Veton Surroi mund të kandidohet për president të Kosovës në kuadër të LDK-së. Sipas këtij perceptimi, kjo situatë e shtyu kryeministrin në aso faze jetësore ku “nuk ka çfarë të humb më” sepse ky kandidim mund të jetë perceptuar nga ai edhe si orvatje serioze që posti i presidentit t’i ikë më lehtë.

Në anën edhe më tjetër, si shoqëri, po e shijojmë një këndellje, njëfarë lloj zgjimi, me hyrjen e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, pra edhe zyrtarisht në politikë. Kjo hyrje në politikë e solli, përsëri, kryeministrin në aso pozita sa të jap deklarata të tilla si “dikush ka qëndruar në Kosovë e dikush ka ikur për të luftuar me Serbinë”. Kjo deklaratë shpreh qëndrimin më dëshpërues dhe më zhgënjyes që mund të përjetoi, në këtë rast, një politikan. Në fakt, kryeministri erdhi në një gjendje të tillë saqë t’i mbeten vetëm deklaratat për t’u mbrojtur ose për të sulmuar. Sepse, siç na e tregoi Auditori i Përgjithshëm edhe zyrtarisht, ai që moti e kishte humbur kontrollin për vendosjen e ligjshmërisë në institucionet qeverisëse të Kosovës, ndërsa edhe më moti e kishte humbur ligjshmërinë në veriun e Kosovës.

Një logjikë krejt administrative thotë: si mund të përpiqesh të vendosësh ligjshmërinë në veri kur ajo ligjshmëri nuk ekziston as në jug, as në perëndim e as në lindje të Kosovës? Ose, kur ajo nuk ekziston as në institucionet qeverisëse të cilat, së paku publikisht, udhëhiqen nga kryeministri Thaçi?

Për vete, nuk e di se çfarë po ndodh këtu, por e di që veprimet e ndërmarra të udhëhequra nga ndjenja e humbjes së pushtetit edhe në shtëpi, nga ndjenja e dëshpërimit dhe e zhgënjimit, nuk janë të shëndetshme për shoqërinë. Sido që të jetë, të shpresojmë për të mirë.

Exit mobile version