Asnjë deklaratë nga familjet e viktimave të luftës në Komunën e Podujevës nuk është marrë nga organet përgjegjëse, prejse ishte arrestuar ish-gjenerali serb, Milovan Bojoviq, për kalim të paautorizuar të pikëkalimeve kufitare.
Lirimi i tij nga Gjykata e Apelit dhe deportimi i tij në Serbi kanë ngjallur pakënaqësi, shkruan sot Koha Ditore.
Përfaqësuesi i shoqatës për persona të zhdukur dhe viktima të luftës “Përkorë”, Latif Mehmeti, ka akuzuar institucionet e drejtësisë se i mbyllën sy e vesh dhe nuk i hapën dosjet e deponuara për ish-gjeneralin e Korpusit të Prishtinës.
Mehmeti thotë se para disa vjetësh në prezencë të tij ishin marrë deklarata nga familjarët e viktimave të luftës, për vrasjet e të cilëve dyshohet se urdhërdhënës ishte Bojoviq, por që tash nuk u mor askush me të.
Përfaqësuesi i shoqatës “Përkorë” insiston se ka dëshmi të mjaftueshme për të bëmat e luftës së Milovan Bojoviqit.
Banorët e fshatit Peran thonë se Milovan Bojoviq ka qenë disa herë në Podujevë, ku edhe ka drekuar nëpër restorantet e këtij qyteti.