Shumë pjesë të qytetit të Shkupit janë të mbuluara nga mbeturinat dhe papastërtia mbizotëron gjithandej. Kjo është e dukshme nëpër rrugët, trotuaret dhe parqet e qytetit. Gjendja e këtillë i tangon në masë të madhe qytetarët, të cilët të intervistuar nga televizioni Shenja e shprehin revoltën e tyre. Fajtorët e kësaj gjendje sipas tyre janë komunat të cilat nuk i marrin masat e duhura sa i përket mirëmbajtjes së ambientit.
“Papastërtia në këtë rreth vetë shihet, është në nivel të dobët, për shkaqe të ndryshme…e vërteta është që Komuna këtu shumë pak është e ngritur në krahasim me anën tjetër të Vradarit. Po varet edhe ajo prej standardit dhe ngritjes intelektuale”, tha një qytetar.
“Papastërti e madhe është, nuk marrin masa nga komuna. Siç e shihni edhe vet ka mbeturina, pra nuk jemi të kënaqur me pastërtin këtu”, deklaroi një qytetar.
Mirëpo, ka edhe prej tyre që mendojnë se paralelisht me komunën, fajtor është edhe vet faktori njeri, sepse edhe ata nuk janë të kujdesshëm sa i përket ruajtjen së higjienës dhe se mbeturinat i hedhin gjithandej, e jo në vendet e posatçme.
“Kush është fajtor? Fajtor jemi edhe vetë ne, mendoj për higjienën. Por edhe komuna, ja shihni ka mbeturina në gjitha anët. Shoh në komunat e tjerë kurdo që të kalosh, për shembull në Aerodrom, ka njerëz që pastrojnë, gjithçka është e rregulluar”, u shpreh një qytetare.
Ata bëjnë apel që kjo gjendje të përmirësohet sepse ambienti i pastër është kusht për jetë të shëndetshme dhe se çdo qytetar e meriton të jetojë në një hapësirë të pastër.