Papunësia rezulton më problematike tek të rinjtë. Sipas INSTAT-it, shkalla e papunësisë te të rinjtë e moshës 15-34 vjeç është 30.2 për qind, duke u rritur me 2.3 për qind kundrejt vitit të mëparshëm.
Gjatë 2013-ës pati një rritje të shkallës së papunësisë për personat me arsim të lartë me rreth 1.8 për qind. Duke analizuar shkallën e papunësisë sipas nivelit arsimor, në tregun e punës në Shqipëri vihet re që shkalla e papunësisë është me e lartë për personat me arsim të lartë, me 14.7 për qind se sa për personat me arsim bazë apo 8 dhe 9-vjeçar.
Një tjetër tipar dallues i tregut shqiptar të punës është pjesa relativisht e lartë e të papunëve të dekurajuar, të moshës 15-64 vjeç, të cilët në vitin 2013 përbënin 23 për qind të të gjithë individëve ekonomikisht joaktivë, qofshin këta meshkuj apo femra.
Instituti i Statistikave konstaton se gjatë vitit që lamë pas, krahasuar me vitin e mëparshëm, numri i të punësuarve u ul me 11.2%. Sipas të dhënave zyrtare, pothuajse 3 në 7 të punësuar me pagë punuan në një nga pesë sektorët kryesorë të ekonomisë, si ndërtimi, administrata publike, industria përpunuese, arsimi dhe tregtia me shumicë dhe pakicë. Punësimi është dominuar nga sektori bujqësor dhe nga ai i shërbimeve. /BW/