Telegrafi

INSTAT: Bie parashikimi për inflacionin

Faktet tregojnë të kundërtën, pasi aty ku nuk pritej, në muajin maj, çmimet i janë kthyer tendencës rritëse.

Konfirmimi vjen nga vetë INSTAT-i, sipas të cilit, indeksi i çmimeve të konsumit në muajin maj 2011, arriti 111 për qind kundrejt muajit dhjetor 2007, duke shënuar një ulje prej 1.1 për qind krahasuar me muajin e mëparshëm, por në krahasim me një vit më parë, ka një rritje me 4.2 për qind (inflacioni), nga 4.1 për qind që ishte në muajin prill, kurse inflacioni në muajin maj të 2010-s ishte 3.3 për qind, raporton TCh.

Indeksi i grupit “Ushqime dhe pije jo alkoolike” shënoi një ulje prej 2.6 për qind, ku brenda këtij grupi ulja më e madhe prej 18.2 për qind vërehet në nëngrupin “zarzavate përfshi patatet”.

Ndryshe rezultoi me frutat, çmimi i të cilave u rrit me 1.9 për qind, sidomos te limonët me 5.6 për qind, portokajtë me 3 për qind, mollët me 2.7 për qind etj. Indeksi i grupit “Pije alkoolike dhe duhan” shënoi një rritje prej 0.1 për qind, ku mund të veçojmë rritjen e çmimit të duhanit me 0.1 për qind.

Po ashtu, indeksi i grupit “Shëndeti” shënoi një rritje prej 0.3 për qind, brenda të cilit çmimet e medikamenteve mjekësore u rritën me 0.3 për qind. INSTAT thekson se në muajin maj çmimi i naftës shënoi një ulje prej 1.2 për qind, ndërsa çmimi i benzinës një rritje prej 0.2 për qind. /Telegrafi/