Charlie Beswick kishte mbetur e shokuar, kur Instagrami i fshiu fotografinë me të birin e saj 12-vjeç Harry. Ky vogëlush vuan nga sindroma Goldenharov, një çrregullim i rrallë që ia deformon fytyrën.
Në rastin e ti kjo do të thotë se ai nuk ka hundë, njërin sy, kurse në imazhin e publikuar ai nuk kishte bartur syrin artificial, transmeton Telegrafi.
Por, kjo nënë e cila në profilin e saj në Instagram dokumenton momentet emocionuese të familjes së saj përmes imazheve, thotë se duket se dikujt i ka penguar fytyra e Harry, dhe për këtë arsye është raportuar imazhi, edhe pse llogaria e saj numëron mbi 17 mijë ndjekës.
Instagrami e kishte larguar fotografinë dy ditë pas raportimit të saj, kurse Charlie menjëherë ka shprehur pakënaqësinë e saj duke iu drejtuar atyre që po e diskriminojnë, dhe fatmirësisht ka marrë përkrahje të madhe nga ndjekësit e saj.
Fotografia e saj është rikthyer nga Instagrami, por ajo thotë se deri më tani nuk ka marrë kurrfarë shpjegimi apo arsyetimi për heqjen e saj.
“Instagrami nuk i ka kërkuar falje. Thjesht ia kanë rikthyer fotografinë, por nuk kanë shpjeguar se pse në fakt është shlyer. Më nervozon fakti që imazhi i birit tim është shlyer. Vetëm ta kishin analizuar për 30 sekonda, do ta kuptonin se ai imazh ka marrë komente pozitive nga ndjekësit e mi”, ka deklaruar ajo.
Edhe pse në shumicën e fotografive që i poston me të birin, pranon komente pozitive, por ka raste kur njerëzit i shkruajnë edhe gjëra të këqija.
“Më kanë shkruar se është dashur ta djeg për së gjalli birin tim, pasi ai është përbindësh”, ka shpjeguar ajo.
Rregullat e Instagrami ndalojnë përmbajtjet që do të diskriminonin të tjerët në baza racore, gjinore, orientimit seksual, fesë, gjendjes mental dhe sëmundjeve tjera.
“Imazhi ishte shlyer gabimisht, por e kemi rikthyer menjëherë pasi e kuptuam për çfarë bëhet fjalë. I kërkojmë falje familjes”, ka deklaruar zëdhënësi i Instagramit. /Telegrafi/