Kreatorja e njohur kosovare, Lia Stublla, ka prezantuar së fundmi koleksionin e saj më të ri të veshjeve.
Ajo ka sjell linjën e re të 20 fustaneve, të cilat janë të punuar me kujdes dhe dizajn specifik.
Lia ka treguar në një bisedë për Telegrafin se ku e ka gjetur inspirimin për realizimin e koleksionit të ri.
“Po, kam realizuar së fundmi koleksionin tim më të ri, i cili ka kreacione shumë interesante, koncepti i së cilit është stina në të cilën ndodhemi – pra vjeshta”, tha Lia Stublla për Telegrafin.
Tutje, ajo ka treguar se koncepti i këtyre veshjeve janë gjethet e veshjes.
“E veçanta e fustaneve është se janë të punuara nën konceptin e gjetheve, dhe duke qenë se për momentin kemi gjethe kudo, ishte mendoj zgjedhja e duhur që koleksioni im i ri të përmbajë këtë dizajn”, thekson dizajnerja Stublla.
Ky koleksion për dallim nga të tjerët që stilistja ka punuar ndër vite, veçohet për faktin se ajo këtë herë është koncentruar më shumë në pjesën e sipërme.
“Ajo çfarë i dallon fustanet e këtij koleksione nga fustanet tjera, është fakti se këtë vit jam fokusuar më shumë te pjesa e korsesë, e cila është më e detajizuar se në fustan që kam punuar më përpara”, ka shtuar Stublla.
Në përfundimin e bisedës, Lia tha se ky koleksion është një “nismë” e dizajnit dhe stilit në të cilin do të fokusohet vitin e ardhshëm.
“Nga koleksion janë prezantuar vetëm tetë fustane, por në linjë janë 20, dhe pjesa e tjetër do të prezantohet në vazhdim, dhe do të shërbejnë si një lloj paralajmërimi për të treguar se çfarë do të përgatis unë në vitin 2019”, ka përfunduar Lia Stublla.
E njëjta, disa nga modelet e reja të fustaneve të saj i ka ndarë me ndjekësit përmes disa fotografive në rrjetet sociale. /Telegrafi/