Milot Rashica është njëri nga futbollistët më të famshëm të Përfaqësueses së Kosovës që aktivizohet me Werder Bremenin në Bundesliga.
I lindur e rritur në Vushtrri, një qytet i lashtë me traditë të madhe në futboll, Miloti arriti të tregojë talentin e tij në elitën e futbollit kosovar duke i siguruar klubit të tij të zemrës titullin e kampionit.
Nga Vushtrria e vogël, Miloti bëri një hap të madh duke u transferuar në kampionatin holandez te Vittese.
Shkëlqimi në Vittese ishte i madh, sa që bëri klubin e madh gjerman Werder Bremen të shpenzojë rreth tetë milionë euro për ta transferuar në Bundesliga.
Edhe në Bundesliga reprezentuesi i Kosovës ka shkëlqyer me gola dhe asistime duke i dhënë pikë të rëndësishme Bremenit.
Në një intervistë të veçantë për werder.de, Rashica ka folur për momentet më të mira në karrierë, ushqimin e preferuar, jetën private si dhe për serialet dhe muzikën.
Momentet më të bukura në karrierë – Dy transferimet e mija, së pari nga kampionati kosovar në atë holandez te Vittese dhe më pas kalimi te Werder Bremen janë dy momente të veçanta. Gjithsesi momenti më i bukur për mua mbetet vendi i parë në Ligën e Kombeve me Kosovën. Unë jam i lindur dhe rritur në Kosovë deri në moshën 18 vjeçare dhe vazhdoj të jem shumë i lidhur me vendlindjen time. Shumë njerëz kanë humbur jetën e tyre në luftë, kanë humbur të afërm dhe kanë vuajtur shumë. Ishte një rrugë e gjatë për të ardhur te liria, ndërsa vonë u pranuam në FIFA, kësisoj që arritja me Kosovën ka shumë rëndësi.
Serialet – Seriali i preferuar është Hous of Money. Do të më kishte pëlqyer të shihja të gjitha seritë radhazi. Pas këtij do të zgjedhja Prison Break. Në përgjithësi i shoh serialet në gjuhen angleze pasi më mëson ta përmirësoj gjuhën.
Qyteti i Bremen – Vendi im i preferuar në këtë qytet është restoranti ‘The Bellini’. I njoh pronarët dhe gjithë stafin aty. Shumica e tyre janë nga Shqipëria dhe Kosova, ushqimi është shumë i mirë dhe preferoj që kur të dal të kalojë kohën aty.
Ushqimi i preferuar – E fejuara ime gatuan në mënyrë fantastike. Zakonisht preferojmë mishin dhe makaronat por ajo mund të gatuaj gjithçka. Për shembull konsumojmë shpesh flinë, një ushqim tradicional shqiptar. Mund të përmend edhe byrekun me djathë ose mish dhe bukën tradicionale, në përgjithësi më pëlqen gjithçka që e fejuara ime bën.
Muzika e preferuar – Unë dëgjoj vetëm Hip Hop shqip. E kam të vështirë të zgjedh ndonjërin pasi shumica nga ta janë shokët e mijë. Nëse më duhet të zgjedh një të huaj do ta zgjidhja Azet që jeton në Gjermani por që është nga Kosova. Loredana dhe Mozzik janë miqtë e mijë ashtu si edhe Ledri Vula, Capital T, Gold AG dhe të tjerë. Unë preferoj edhe Mc Kreshën. Ai mbajti një koncert në Vushtrri dhe më befasoi kur në skenë doli me fanellën time, ai është gjithashtu një tifoz i madh i futbollit.
Unikkatil – Ekziston një artist, i cili më frymëzon dhe më motivon jashtëzakonisht shumë. Emri i tij është Unikkatil, është nga Kosova dhe jeton në Amerikë. Personalisht mendoj se është një nga reperët më të mirë në botë. Kryesisht i dëgjoj këngët e tij para se të futem në fushë.
Idhulli – Padyshim që Cristiano Ronaldo, ndoshta edhe për pozitën që ka në fushë. Nuk mund të them se është më i mirë se Messi pasi që të dy janë lojtarë të jashtëzakonshëm. Kur isha i vogël kam ndjekur ndeshjet e Realit por edhe Bundesligën. Kam përcjellë ndeshje të shumta të Werder Bremenit kur në atë kohë luanin Pizarro, Klose, Diego e Ozil.
Basketbolli – Ekipi im i preferuar është Golden State Warriors edhe pse më duhet të pranojë se nuk i ndjek rregullisht ndeshjet e tyre.
Aplikacioni i preferuar – Më së shumti e përdor Instagramin. Më pëlqen shumë të postoj foto por edhe Insta Story për të treguar se ku jam dhe çfarë po bëjë.
Vendi i preferuar – Kosova dhe padyshim vendlindja ime Vushtrria. Kur kam disa ditë pushim më pëlqen të rikthehem në Vushtrri për të qëndruar aty. Sa i përket plazheve preferoj Shqipërinë, më shumë preferoj pjesën e Jugut pasi janë disa plazhe fantastike. /Telegrafi/