Telegrafi

Inspektoriati, s’ka gjoba per duhanin

Organizata Joqeveritare KADC, ka bërë një hulumtim lidhur me konsumin e duhanit në institucionet arsimore dhe shëndetësore, nivelin e njohurive të qytetarëve për ligjin kundër duhanit dhe ekzistimin e shenjës që parandalon pirjen e duhanit nën moshën 18 vjeçare.

Shkumbin Spahija, drejtor i kësaj organizate, tha se KADC ka kryer këtë hulumtim duke u nisur nga shkalla e konsumit të duhanit dhe niveli i lartë i ekspozimit të popullatës ndaj tymit të duhanit.

Ai shtoi se, ashtu si vendet e Bashkimit Evropian dhe vendet e rajonit, të cilat kanë zvogëluar hapësirën e vendeve ku pihet duhani, edhe Kosova duhet të përballet me sfidën e pirjes së duhanit në vendet publike.

Iliriana Zymberaj, kryeinspektore sanitare, ka thënë se edhe përkundër asaj se ligji kundër duhanit ekziston që nga viti 2007, Inspektoriati u ka dhënë kohë qytetarëve për vetëdijesim, duke mos përdorur masa ndëshkuese për mos zbatimin e ligjit.

“Ashtu si në çdo vend të botës, ne i kemi dhënë kohë qytetarëve të Kosovës që të vetëdijësohen për këtë dukuri negative”, ka thënë Zymberaj, duke shtuar se Inspektoriati ka lëshuar aktvendime të cilat ndalojnë pirjen e duhanit në vende publike.

Këto aktvendime, siç tha ajo, iu janë dhënë të gjitha institucioneve të vendit, duke shtuar se gjobat për moszbatueshmërinë e këtij ligji janë përdorur shumë pak.