Telegrafi

Inspektorët në terren për marzhin e pajisjeve shkollore

Fotografi ilustruese

Inspektorët nga Inspektorati Shtetëror i Tregut (ISHT) do të kontrollojnë në terren nëse tregtarët e respektojnë vendimin e Qeverisë për kufizimin e marzhit më të lartë tregtar apo fitues për pajisjet shkollore në 5 për qind për shitje me shumicë dhe 10 për qind për me pakicë.

Vendimi vlen për çantat e shpinës dhe dorës, fletore, blloqe, kolazhe, mjete shkrimi (lapsa dhe stilolapsa), ngjyra prej druri, plastelinë, brumë modelimi, markera, ngjyra të yndyrshme, temperë, akrilik, ngjyra uji, furça, vizore, materiale didaktike, mprehëse, gomë, gërshërë, aksesorë shkollorë, ngjitës, kompas, kalkulator…,etj.

“Tregtarët të cilët janë të përfshirë me Vendimin e Qeverisë për pajisje shkollore kanë obligim të përshtatin çmimet e produkteve. Nga nesër inspektorët do të jenë në terren dhe do të kryejnë kontrolle për të konstatuar nëse tregtarët kanë vepruar në përputhje me këtë vendim. Inspektorët do të veprojnë në kuadër të kompetencave të tyre që dalin nga Vendimi”, kumtoi ISHT.

Marzhi më i lartë tregtar i përcaktuar nga Qeveria do të zbatohet deri më 20 tetor të këtij viti.

Mënyra se si do të trajtohet nëse ndonjëri nga tregtarët vepron në kundërshtim me Vendimin është paraparë në Ligjin e Tregtisë. Në rast se konstatohet shkelje e Vendimit, ISHT paralajmëron se do të vijojnë gjoba që dalin nga Ligji i Tregtisë. Gjobat sillen nga 800 deri në 10 mijë euro, në varësi të madhësisë dhe llojit të tregtarit. “Kujtoj se Inspektorati Shtetëror i Tregut do të veprojë ekskluzivisht në drejtim të kontrollit të çmimeve të përcaktuara me Vendim, por nuk ka kompetencë të veprojë dhe as të ndikojë në formimin e çmimeve në tregtinë me shumicë dhe pakicë. Siç kemi vepruar më parë, ashtu edhe tani, nuk do të ketë asnjë kompromis për askënd, ligji do të zbatohet njësoj për të gjithë dhe të gjithë tregtarët që mbulohen me Vendimin kanë obligim ta respektojnë atë”, kumtoi ISHT.

Ndërkaq, kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se marzhi i shitjes me shumicë do të kufizohet në pesë për qind, ndërsa marzhi me pakicë do të kufizohet në dhjetë për qind. Kjo masë vjen një ditë pas fillimit të vitit shkollor, pasi një numër i madh prindërish kanë marrë tashmë materialet e nevojshme. Sipas Mickoskit, kjo masë nuk vonon.

“Gjithmonë mund të bësh diçka ndryshe. Mendoj se çdo masë është e mirëpritur për buxhetin e familjes, për arsyen e thjeshtë se pas konstatimit të situatës në sektorin e shitjes me pakicë ka pasur një reagim të menjëhershëm. Dhe nuk më shkon mendja që ndonjë produkt që ka një deklarim importi 50 denarë të shitet për 120 apo 150 denarë. Jam i bindur se kjo masë do të kursejë gjysmën e buxhetit të familjes. Po, ka nga ata që kanë siguruar një pjesë të mjeteve shkollore, por në periudhën e ardhshme do të kemi masa të tjera të tilla që do të nënkuptojnë mbrojtjen e ‘shportës së vjeshtës dhe dimrit’”, theksoi Mickoski.

E nga ana tjetër, prindërit e mbështesin masën dhe besojnë se do të sjellë kursime të konsiderueshme në buxhetet e tyre familjare, pavarësisht se siç thonë ata , shumicën e materialeve shkollore e kanë blerë tashmë. “Ky vendim edhe pse pak i vonuar, megjithatë mund të na ndihmojë të ulim kostot. Unë personalisht fëmijëve i kam blerë mbi 60 për qind të materialeve shkollore. Por prapë besoj që do duhet blerë, pasi që në shkollë ju kërkojnë materiale tjera pasi fillojnë vitin”, tha Avni Kamberi, prind.

Ndër të tjera, nga Qeveria theksuan se masa “Më pak shpenzime, më shumë për ty”, “Ne kujdesemi”, ka për qëllim të ndihmojë familjet dhe paralajmëroi vazhdimin e kësaj fushate me masa të tjera./Koha.mk/