Telegrafi

Inspektorët në Maqedoni kanë kryer 11.358 kontrolle, janë mbyllur 21 objekte hotelierike

Shërbimet e Inspektimit në Maqedoni në periudhën prej 19 deri 22 mars të këtij viti, kanë kryer gjithsej 11.358 inspektime në terren, në drejtim të zbatimit të masave të Qeverisë për parandalimin e përhapjes së coronavirusit.

Kryetarja e Këshillit të Inspektimit Magdalena Filipovska-Grashkoska, sot në konferencë për shtyp tha se Inspektorati Shtetëror i Tregut ka kryer gjithsej 9650 inspektime, me çka janë mbyllur 21 objekte hotelierike edhe atë në Shkup, Kumanovë, Manastir, Koçan, Gostivar dhe Strugë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Në të njëjtën periudhë, Inspektorati i Tregut ka kryer 869 inspektime për kontroll të ngrirjes së çmimeve, ku kanë vërtetuar se disa tregtarë të shitjes me pakicë e kanë ndryshuar çmimin e disa prodikteve. Subjektet janë angazhuar që të reagojnë menjëherë dhe t’i kthejnë çmimet që kanë qenë nga 11 marsi i këtij viti.

Inspektorati Sanitar dhe Shëndetësor, në këtë periudhë ka kryer gjithsej 11 inspektime dhe ka konstatuar se në përgjithësi respektohen masat qeveritare.

Nga ana e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari janë zbatuar gjithsej 189 kontrolle, me çka janë konstatuar parregullsi të caktuara.

Kurse nga ana e Agjencisë për Ilaçe (Malmed) janë kryer dhjetë inspektime. /Telegrafi/