Site icon Telegrafi

Inspektorët në Gjilan gjobisin me 1000 euro një furrë buke, pesha e bukës nuk përputhej me deklaracionin  

Inspektorët në Gjilan kanë gjobitur me një mijë euro një furrë buke, pasi pesha e bukës nuk përputhej me deklarcionin.

Kështu bëhet e ditur në një njoftim të Komunës së Gjilanit.

“Drejtoria e Inspekcionit në Gjilan është e vendosur të mos tolerojë asnjë shkelje të të drejtave të konsumatorëve. Gjatë inspektimit në sektorin e bukës, në një furrë në qytet është konstatuar se pesha e bukës nuk përputhej me deklaracionin.

Inspektorët kanë ndërmarrë veprimet e duhura ligjore dhe subjektit ekonomik i kanë shqiptuar një gjobë në shumë 1000 euro, pasi nga kanë vërtetuar se buka që shitej për 500 gramë peshonte 70 deri në  80 gramë më pak”, thuhet në njoftim.

Më tej bëhet e ditur se Drejtoria e Inspekcionit komunal në Gjilan i siguron qytetarët se ankesat dhe kërkesat e tyre do të shqyrtohen me seriozitet të plotë dhe se nuk do të tolerojë mashtrime në dëm të konsumatorit.

Ndryshe, inspektorët në Gjilan kanë dënuar me 400 euro edhe një market për mashtrime me çmime të sheqerit, pasi tjetër çmim ishte në raft, e tjetër në arkë.

“Duke reaguar sipas ankesës së një qytetari në lidhje me mospërputhjen e çmimit të reklamuar dhe atij që ka paguar në arkë, inspektorët komunalë kanë gjobitur me 400 euro një marketin Viva Fresh”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version