Site icon Telegrafi

​Inspektorati i Tregut realizon 2.830 inspektime tek operatorët ekonomikë për vitin 2022

Inspektorati i Tregut në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, gjatë vitit 2022 ka realizuar 2.830 inspektime tek operatorët ekonomikë në sektorin privat që operojnë në tërë Kosovën, nga të cilat 1.453 janë realizuar nga inspektorët për kontrollin e tregut të naftës, 732 janë realizuar nga inspektorët për sigurinë e produkteve, ndërsa 663 janë realizuar nga inspektorët e mbikëqyrjes së përgjithshme të tregut.

Nga numri i ankesave te trajtuara, ka rezultuar se në 74% të rasteve ato janë konsideruar të bazuara dhe janë zgjidhur në favor të konsumatorëve. Në 23% të rasteve pas trajtimit nga inspektorët ka rezultuar se ankesat ishin të pabazuara. Ndërsa në 3% ankesat janë refuzuar pasi që nuk ishin të kompletuara me dokumentacion të nevojshëm, dhe të njëjtat janë konsideruar si informata të vlefshme për Inspektoratin.

Ankesat e konsumatorëve kryesisht ishin për mos përputhje të çmimeve raft – arkë, për mos respektim të garancive, mungesës së etiketës që tregon flamurin e origjinës së produktit , për zbritje mashtruese të çmimeve, për mashtrimet gjatë blerjeve online, peshën e bukës etj.

“Ankesa kemi pranuar edhe lidhur me mungesën e etiketës e cila tregon flamurin e origjinës së produktit dhe me këtë rast janë realizuar inspektime në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Inspektimet janë duke vazhduar çdo ditë në bashkëpunim me inspektorët e tregut komunale, e sidomos numri i inspektimeve është rritur tani kur jemi në prag të festave të fund vitit”, thuhet në një postim në Facebook.

Vlen të përmendet se gjatë mandatit qeverisës në Ministrinë e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, nga ministrja Rozeta Hajdari, përqindja e inspektimeve ka shkuar në 67%, me gjithsej 5432 inspektime tek operatorët ekonomikë

Exit mobile version