Site icon Telegrafi

Inspektorati Shtetëror i Mjedisit në Maqedoni kryen 955 kontrolle, konstatohen 244 parregullsi

Inspektorati Shtetëror i Mjedisit (ISHM) ka kryer mbi 955 kontrolle, ndërsa ka konstatuar 244 parregullsi. Për ndotësit e ambientit është ngritur procedurë për kundërvajtje. Nga Inspektorati njoftojnë se një pjesë e këtyre procedurave janë nëpër gjykata, disa në komisionin e Ministrisë së Ekologjisë dhe pjesa tjetër janë me urdhërpagesa dhe janë realizuar.

“Janë ngritur procedura për kundërvajtje për më shumë subjekte juridike…Të gjithë ata, ku ka tejkalim të normave të lejuara të ndotjes, apo lloje të tjera të ndotjeve janë sanksionuar dhe vetë shuma e përgjithshme mbi 300 mijë euro tregon se është vepruar ndaj të gjithë ndotësve, pavarësisht nëse janë subjekte juridike apo fizike“, deklaroi Sreten Stojkovski, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit.

Përveç procedurave për kundërvajtje, Inspektorati ka ngritur edhe dy kallëzime penale për rrezikim të mjedisit jetësor.

“Janë dorëzuar edhe dy kallëzime penale ndaj subjekteve juridike ‘Recycle Ekostart’ dhe ‘Satus’, për lënien e mbetjeve të rrezikshme në lokacionin në fshatin Orman, gjegjësisht rrezikimin e mjedisit jetësor me mbeturina, sipas Kodit Penal. Dhe kallëzimi i dytë penal është dorëzuar ndaj një kryerësi të panjohur, në lokacionin e fshatit Kalishtë, bregu i liqenit në Komunën e Strugës për shkak të shkatërrimit të llojeve të mbrojtura të florës dhe faunës, shkatërrimin e vendbanimit dhe uzurpim të patundshmërisë, sipas Kodit Penal”, tha Sreten Stojkovski, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit.

Stojkovski njoftoi se kah mesi i këtij muaji hyjnë në fuqi ndryshimet, sipas të cilave për veprat ku ka rrezikim të mjedisit jetësor në masë të madhe, dënimet shkojnë deri në 10 vite burg./Alsat/

Exit mobile version