Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor (ISHSSH) ka konstatuar dështim në trajtimin e foshnjës shtatë muajshe që ndërroi jetë javën e kaluar në Klinikën e Fëmijëve. Në raportin e ISHSSH thuhet se është konstatuar se gjatë ekzaminimit të foshnjës, në ambulancën e shërbimit nuk kishte specialistë.
“Gjatë mbikëqyrjes është konstatuar se klinika ende nuk e ka zgjidhur problemin me prezencën e detyrueshme të specialistit në ambulancën e gatishmërisë, për të cilën po zhvillohet një procedurë kundërvajtëse në ISHSSH. Dokumentacioni mjekësor ende krijohet nga mjekë të cilët nuk janë të pranishëm në punë apo në ambulancë, për të cilin DSZI ka nxjerrë tashmë vendim afatet e të cilit janë duke ecur”, thuhet në raportin e ISHSSH-së.
Sipas inspektoratit, Ligji për Kujdesin Shëndetësor parasheh që për pranimin e pacientëve të ekzaminuar në Klinikë si raste urgjente, nëse pranimi nuk kryhet, institucioni është i obliguar të japë shpjegim me shkrim për arsyet e refuzimit të trajtimit në spital, i cili nuk është bërë në rastin e foshnjës së vdekur shtatë muajshe.
ISHSSH do t’i kërkojë ministrit të Shëndetësisë formimin e një komisioni të posaçëm që do të kryejë edhe mbikëqyrjen e ekspertëve për mënyrën e trajtimit të foshnjës./Telegrafi/