Site icon Telegrafi

Inspektorati Shëndetësor konstaton verbërimin e fëmijëve

Në një raport të Inspektoratit Shëndetësor në lidhje me Retinopatinë Premature, që ka lënë të verbër shumë fëmijë kosovarë, konfirmohen shkelje të rënda procedurale që kanë çuar në verbërimin e fëmijëve kosovarë.

Prindërit e fëmijëve që u verbëruan si rezultat i Retinopatisë Premature për shkak të mostrajtimit adekuat derisa po qëndronin në inkubatorët e Klinikës së Neonatologjisë në QKUK, skandal ky i zbuluar nga gazeta “Zëri”, nuk ishin të njoftuar për pasojat e sëmundjes.

“Në asnjë dokument shëndetësor të shqyrtuar nuk kemi vërejtur që nëna e të porsalindurit Premature është informuar për pasojat dhe komplikimet e mundshme të fëmijës Premature”, thuhet në raportin që kryeinspektorja e Shëndetësisë, Ardita Baraku, ua ka dërguar drejtorit të SHSKUK-së, Curr Gjocajt, Komisionit Etik të QKUK-së, si dhe të njëjtin ia ka bashkëngjitur edhe ministrit të Shëndetësisë, Imet Rrahmani, dhe sekretarit, Gani Shabani.

Këto konstatime të Inspektoratit Shëndetësor të Kosovës për Klinikën e Neonatologjisë dhe atë të Syve janë bërë pas një inspektimi specifik në këto klinika pak ditë pasi gazeta “Zëri” zbuloi aferën e verbërimit të fëmijëve kosovarë, si rezultat i neglizhencës mjekësore dhe mungesës së protokolleve për trajtimin e sëmundjes së Retinopatisë, që për rezultat solli verbërimin e shumë fëmijëve kosovarë. /Zëri/

Exit mobile version