Kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami, ka njoftuar se Inspektorati komunal sot e ka mbyllur autolarjen, e cila ndodhej pranë shkollës fillore “Migjeni”.
Kasami thotë se mbyllja e këtij lavazhi vjen pas ankesave të shumta të qytetarëve që jetojnë në afërsi.
“Më në fund është zgjidhur problemi i kahershëm me lavazhin (autolarjen) që gjendet pranë shkollës fillore “Migjeni”! Inspektorati komunal sot ka mbyllur lavazhin, i cili jo vetëm që ka uzurpuar trotuarin, por ka penguar edhe lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe ka rrezikuar jetën e nxënësve”.
“Mbyllja e këtij lavazhi vjen pas ankesave të shumta të qytetarëve që jetojnë në afërsi dhe të prindërve të nxënësve të kësaj shkolle të cilët kërkuan nga komuna që të ndërhyjë dhe të krijojë kushte normale për lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të nxënësve, menjëherë inspektorati komunal ka dal në teren dhe ka konstatuar se autolarja nuk plotësonte asnjë nga kushtet bazë për funksionim”, ka shkruar Kasami në Facebook.
Ky problem daton që nga ndërtimi i shkollës gati 20 vite më parë. Problemi ishte se makinat nga lavazhi parkoheshin në trotuar dhe nxënësit duhej të lëviznin përgjatë rrugës.