Inspektorati i Komunës së Prishtinës, mbrëmjen e së shtunës ka ndërmarrë një aksion për të inspektuar lokalet e ndryshme nëse po respektohen rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Kështu ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, kryeinspektori Adonis Tahiri.
“Aksion i gjerë, me qëllimin e vetëm: Ruajtjen e shëndetit publik!”, ka shkruar Tahiri në Facebook duke ia bashkangjitur një fotografi ku shihen inspektorati së bashki me policinë, duke kontrolluar lokale.
Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, bënë të ditur, se janë testuar gjithsej 313 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, nga të cilat me SARS-CoV-2, janë konfirmuar 53 raste të reja.
Po ashtu, IKSHPK ka rekomanduar që të mbyllen sektorët e disa ndërmarrjeve ku janë konfirmuar raste pozitive me coronavirus.
Raste pozitive tashmë kanë dalë nëpër ndërmarrje publike e private: Posta e Kosovës, KEK, KEDS, Galeri të Arteve, institucione bankare, shëndetësore, agjensione, kompani tregtare e biznese të vogla. /Telegrafi/