Telegrafi

Inspektohen palestrat në Shqipëri ku do të luhen ndeshjet e Ligës Unike

Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku, së bashku me zyrtarët e Ligës Unike, Drejtorin e Përgjithshëm, Dren Zatriqin, Komesarin e Garave të Ligës Unike, Bashkim Milo, si dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani, gjatë fundjavës kanë vizituar palestrat ku do të luajnë klubet shqiptare të Ligës Unike.

Ata kanë parë nga afër gjendjen e palestrave në Shqipëri, sa janë të gatshme për edicionin e ri dhe çka ka nevojë të punohet në to.

Ata kanë vizituar palestrën në Shkodër “Qazim Dervishi”, pastaj palestrat në Durrës “Dhimitraq Goga” dhe “Ramazan Njala”, Pallatin “Asllan Rusi” në Tiranë, si dhe Palestrën në Vlorë. Në këto palestra garojnë Vllaznia e Shkodrës, Teuta e Durrësit, Kamza, Tirana, si dhe Tirana, Flamurtari e Partizani në konkurrencën e femrave.

Zyrtarët janë pritur ngrohtë nga klubet mikpritëse dhe janë shprehur të gatshëm për fillimin e edicionit të ri, që pritet të jetë shumë interesant, derisa risi për këtë edicion do të jetë edhe Liga Unike në konkurrencën e femrave.

Liga Unike është formuar nga Federata e Basketbollit e Kosovës dhe Federatës Shqiptare të Basketbollit, duke i mbledhur klubet më të mira nga të dyja shtetet.