Telegrafi

“Insig” rinis rrugën drejt privatizimit

Tenderi për të gjetur një kompani analize financiare për vlerësimin e “Insig”-ut pritet të zhvillohet edhe një herë më 13 qershor, pasi kishte dështuar më herët për shkak të mosinteresimit të kompanive të fushës. Vetëm procesi i vlerësimit të kompanisë për llogari të shitësit pritet të kushtojë rreth 100 mijë euro. Vlerësuesi ka për detyrë të japë mendimin e vet brenda dy javëve nga shpallja fituese.

Kjo nuk është hera e parë që “Insig”, vlerësohet para se të dalë në shitje. Disa vite më parë, një kompani e huaj e vlerësoi kompaninë me 28 milionë dollarë, shifër kjo e konsideruar si tepër e ulët nga ekspertët e fushës, për shkak se në atë kohë, “Insig” kishte gjendje financiare të investuar në bono thesari prej 40 milionë dollarësh.

Kompania “Insig” u nxor në shitje për herë të parë në vitin 2002, por procedurat për privatizimin e saj nuk ecën asnjëherë në rrugën e duhur, kryesisht për shkak të mungesës së vullnetit politik.

“Insig”u shit me negocim të drejtpërdrejtë në masën 40% te dy institucione financiare ndërkombëtare, IFC dhe BERZH, veprim që kishte për synim të përmirësonte imazhin e kompanisë. Pjesa tjetër e aksioneve mbeti nën pronësinë e Ministrisë së Financave. Gjatë viteve në vijim, pati shumë premtime nga qeveritë e ndryshme për t’i dhënë fund privatizimit, për shkak se ndërkohë kompania po humbiste terren kundrejt konkurrentëve privatë në tregun e saj kryesor, në Shqipëri.

Ndryshe aktiviteti i operimit të “Insig”-ut në Kosovë dhe Maqedoni e ka ndihmuar kompaninë të kompensojë humbjet financiare në tregun shqiptar, ku përballet tashmë prej vitesh nga konkurrenca e ashpër e operatorëve privatë të tregut, të cilët kanë fleksibilitet shumë të madh në krahasim me procedurat burokratike në një kompani shtetërore.

“Insig”ka rreth 250 punonjës në të tre vendet. INSIG ka aktualisht rreth 75 milionë dollarë asete. /Shekulli/