Telegrafi

“INSIG” gati për shitje, konkurrentët rrëmbejnë tregun

Ndërkohë kompania audituese “KPMG” po bën vlerësimin e aseteve të “INSUG”-ut. Në këtë mënyrë qeveria do të dijë vlerën e kompanisë së sigurimeve dhe do të ketë mundësi që të vendosë çmimin e referencës. Raporti i auditimit duhet të ishte dorëzuar në fund të korrikut, por procesi është zgjatur për shkak të vlerësimit fizik të kompanisë.

Procesi i privatizimit të 61 për qind të aksioneve të kompanisë “INSIG” është hapur që në vitin 2004. Pjesa e mbetur e aksioneve të kompanisë zotërohet nga institucionet financiare ndërkombëtare, BERZH dhe IFC, secila nga 19.5 për qind, ku njëkohësisht janë partnerë mbështetës të qeverisë në privatizimin e shoqërisë në fjalë. Gjatë këtyre katër viteve, kompania ka vazhduar që të humbasë treg, duke humbur rolin që ka pasur më parë.

Tashmë jemi në një situatë ku “INSIG” ka një portofol të sigurimit të Jo-Jetës njësoj si kompania e pestë në renditjen e bërë nga AMF. Për 5 mujorin e parë të vitit, kompania jo vetëm që ka humbur 1.2 milionë dollarë të ardhura, por nga vendi i tretë që ishte vjet, përsa i përket të ardhurave në treg, ka kaluar ne vend të pestë.

Situata ka patur një përmirësim për sa i përket sigurimit të Jo-Jetës gjatë periudhës 6 mujore, duke shënuar një rënie vetëm me rreth 5.4 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. “INSIG”, sipas të dhënave të AMF-së, për 6 muajt e parë të vitit 2008 zotëron 11.86% të tregut të sigurimit të detyrueshëm, nga 14.62 për qind që ka qenë pjesa e zotëruar nga kompania me kapital shtetëror në të njëjtën periudhë të vitit 2007./Shekulli/