Telegrafi

Inovacion dhe kreativitet në Shkollën e Diasporës në Kosovë (Foto)

Për herë të parë keni mundësi që së bashku me të rinj profesionistë nga diaspora, rajoni dhe Kosova të sjellin kreativitetin tuaj në programin multidisiplinar të Shkollës së Diasporës në Kosovë.

Kreativiteti dhe inovacioni juaj duhet të orientohet drejt zgjidhjes së problemeve të ndryshme me të cilat ballafaqohet komuniteti siç janë: sfidat në fushën e edukimit, turizmit, kulturës, shërbimeve publike dhe pjesëmarrjes aktive të shoqërisë. E kjo mund të bëhet nëse jeni të gatshëm për të ndarë përvojën tuaj me bashkëmoshatarët që jetojnë në Kosovë, Diasporë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke u bërë pjesë e SHDK 2017 në bashkëkrijimin e të ardhmes me të rinj profesionistë nga komunitetet, kulturat dhe vendet e ndryshme.

Nëse jeni të moshës 18-35 vjeç, mendjehapur, kreativ dhe të gatshëm për të sjellë ndryshime në shoqëri, Shkolla e Diasporës është mundësi unike që të ideoni dhe hartoni projekte që lidhen me nevojat e komunitetit dhe të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës në komunitet. Gjithashtu, Germin do të mbështes në zbatim të këtyre projekteve duke shpërblyer pjesëmarrësit me grande në vlerë 4000, 5000 dhe 6000 euro.

Bashkëpunimi dhe rrjetëzimi i të rinjve kreativ dhe të vullnetshëm për të ofruar zgjidhje inovative dhe me kosto efektive përmes formatit Hackthon, për sfidat me të cilat ballafaqohet niveli lokal, të fokusuar më së shumti në ekonominë lokale, është synimi ynë, bashkë me të gjithë juve që do të bëheni pjesë e SHDK2017, duke aplikuar deri më datën 27 shtator 2017 në:  dsk.germin.org

Shkolla e Diasporës në Kosovë zbatohet nga Germin, dhe mbështetet nga Youth Employment & Skills (YES) – GIZ.