Site icon Telegrafi

Injorohen vendorët, pëson Kosova

Njohësit e basketbollit e shohin këtë si një shqetësim të madh, derisa insistojnë se minutazhi i vogël që u jepet atyre mund t’i kushtojë Përfaqësueses së Kosovës në kualifikimet për Evropian

Lojtarët vendorë po “ngufaten” vazhdimisht në basketbollin e pasluftës. Klubet në vazhdimësi ju kanë dhënë prioritet lojtarëve të huaj, madje duke i sjellë në skuadër deri në pesë lojtarë nga jashtë e ndërkohë i kanë injoruar vendorët, të cilët për këtë shkak nuk kanë mundur të zhvilloheshin si duhet.

Se si i harrojnë klubet kosovare lojtarët vendorë u pa më së miri edhe në Kupën e Kosovës. Sigal Prishtina, Peja dhe Bashkimi luajtën kryesisht me lojtarë të huaj, ndërsa e vetmja ishte Trepça, që ua jep rastin më shumë vendorëve nga “katërshja e madhe”.

E pa dyshim, pasojat më të mëdha të kësaj rruge të gabuar do t’i mbajë Përfaqësuesja e Kosovës, e cila sivjet do të debutojë në kualifikimet për Evropian, shkruan Zëri.

Kapiteni Edmond Azemi, në dy ndeshjet e Kupës në total nuk i zhvilloi as 30 minuta të plotë, ndërsa Gëzim Morina qëndroi edhe më keq, rreth 27 minuta në dy ndeshje.

Blerim Mazreku e zhvilloi më pak se një minutë në dy lojë, kurse Gazmend Asllani nuk u inkuadrua fare. Vetëm Dardan Berisha luajti rregullisht tek fituesi i Kupës.

Tek Peja në finale pesë lojtarë vendorë, Leonard Mekaj, Fisnik Rugova, Rron Grapci, Samir e Burim Zekiqi, së bashku i bënë 12 minuta. Vetëm Drilon Hajrizi dhe Alban Veseli ishin më të rregullt.

Te Bashkimi në gjysmëfinale vetëm Granit Rugova luajti rregullisht, kurse Imer Tahiri, Qëndrim Biraj e Andi Shehi së bashku patën 16 minuta në dispozicion, përcjell Zëri.

Image
Ky fakt i ka shqetësuar njohësit e basketbollit, të cilët e kritikojnë Federatën e Basketbollit, por edhe klubet, për politikën e gabueshme, siç thonë ata, që po e ndjekin.

“Është e vërtetë që lojtarëve vendorë nuk po u jepet rasti, sidomos nga ekipet e mëdha si Prishtina e Peja. Mendoj se Federata i ka bërë gabimet e veta, pasi duke u munduar t’u përshtatet BIBL-së apo ligave tjera e ka shtuar numrin e të huajve. Ndërkohë, kjo ka shkuar në dëm të basketbollit kosovar”, thotë fillimisht për “Zërin” trajneri, Fikret Shatri.

“Natyrisht, kjo do t’i kushtojë edhe Përfaqësueses. Haj medet për Kosovën. Do t’i shohim pasojat në kualifikime, pasi lojtarët vendorë kanë mungesë vazhdimësie të lojës. Me këtë rast nuk mund ta tregojnë më të mirën e tyre as tek Përfaqësuesja”, vazhdoi ai.

Shatri, deri dje ndihmëstrajner te Sigal Prishtina, thotë se nuk sheh ndryshime pozitive, pasi nuk po i kushtohet aspak rëndësi prodhimit vendor.

“Klubet po mendojnë vetëm për trofe, pra për suksese afatshkurtra. Është një krizë e thellë, nëse vazhdohet kështu do të shkatërrohet basketbolli. Prandaj, shpresoj që këta njerëz ta ndryshojnë strategjinë”, vazhdoi Shatri.

Edhe njohësit tjerë të basketbollit, Masar Nixha dhe Blerim Krasniqi, thonë se vendorët janë “ngufatur” dhe se kjo mund të reflektojë edhe tek Përfaqësuesja.
 

Exit mobile version