Ishim ndjerë keq e të ofenduar ne veprimtarët sindikalë të arsimit, kur po bëheshin llafe e po përhapej në tërë Kosovën se ishin vënë në pikëpyetje vitet e shërbimit të mësimdhënësve në vitet e vrara të Kosovës. Pasuan angazhime e mbledhje nënshkrimesh dhe më në fund institucioneve iu ndez drita dhe nisen të mendojnë edhe për ata njerëz që ishin kthyer në vitet e okupimit në një digë të fortë të mbrojtjes së arsimit dhe kulturës shqiptare, nga sulmet e vazhdueshme të okupatorit serb dhe institucione të tij vrastare të instaluara me forcë në vendin tonë.
Këtë vit Institucionet tona kanë vënë në lëvizje një dokument me emërtimin e gjatë “Projektligji për Statusin e Punëtorëve të Arsimit Shqiptar të Republikës së Kosovës që nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99”. Pas 14 vjet të lirisë u bë ky Projektligj, më mirë vonë se hiq. Por, ky dokument, që mëton të bëhet Ligj, ka qasje jo korrekte dhe me, apo pa qëllim, injoron e anashkalon shtyllat e vërteta mbrojtëse të arsimit shqip në vitet e okupimit. Nuk di se kush janë përpilues të këtij Projektligji dhe nuk e kam për qëllim që t’i lëndojë, por ata shihet qartë se nuk e njohin fare historikun e shkollës shqipe në Kosovë në vitet e okupimit serb.
Pse ndodh kjo mosnjohje ?
Pas luftës individët dhe organizmat që ishin bërë digë e mbrojtjes së arsimit shqip në vitet e okupimit, menduan se kanë kryer obligimin e tyre kombëtar të tyre dhe vazhduan në detyrat e tyre prej mësimdhënësve. Individë të tjerë shfrytëzuan këtë heshtje dhe nxorën kokën nga rëra. Nëse e freskojmë të gjithë kujtesën dhe kthehemi në vitet e okupimit, do të na kujtohet se rezistencën në mbrojtjen e arsimit shqip e kishin zhvilluar me një punë të vazhdueshme e me një aktivitet të përbashkët Sindikata i Arsimit, paraardhësi i SBASHK-ut, LASH-i dhe Aktivi i Drejtorëve. Të tjerët, e që përmenden në Projektligj, ishin mbështetës.
Ta bëjmë një anketë me gjithë të punësuarit në arsim të asaj kohe dhe të vërejmë se a do të thonë ata se dikush tjetër është marrë me organizimin dhe mbështetjen a arsimit shqip në vitet e vrara të Kosovës. Po të pyesim mësimdhënësit e devotshëm të asaj kohe, ata do ta rrëfejnë të vërtetën dhe do të përmendin emra konkret që ishin vënë në ballë të këtij lumi njerëzish që me shkumës e zemër po mbronin arsimin e kulturën shqiptare në ato vite tragjike, por edhe heroike. Po ta shfletojmë me kujdes historikun e shkollës së parë fillore shqipe të pavarur, asaj në Arbnesh (ish Vitomiricë) të Pejës, dhe të bisedojmë me drejtorin e atëhershëm të saj dhe me kryetarin e Shoqatës sindikale të asaj kohe, do të kuptojmë se kush dhe çfarë bëri për ta.
Projektligji ka cekur 20 emërtime përfituesish nga ky Projektligj, që mëton të bëhet Ligj dhe i zbatueshëm, por shumë nga ta nuk kanë bërë gjë, ose kanë bërë fare pak në mbrojtjen e arsimit shqip dhe në dhënien jetë të tij në vitet e okupimit, krahasuar me Sindikatën, LASH-in dhe Aktivin e Drejtorëve. Ky projektligj duhej t’i veçonte veprimtarët kyçë të këtyre tri organizimeve dhe t’u bënte njohje publike dhe ligjore angazhimeve e sakrificave të tyre. Nëse nuk veprohet kështu, atëherë ky Projektligj do t’u hynte në borxh këtyre njerëzve dhe do të ishte jo korrekt dhe pse edhe jo njerëzor. Kështu si është, ky dokument nuk njeh e nuk respekton sakrificat e njerëzve më meritorë të rezistencës dhe faktorëve kyçë të mbijetesës së shkollës shqipe dhe shtyllave të rezistencës në arsim kundër pushtetit okupues të Serbisë, e që kanë dhënë kontribut për lirinë dhe çlirimin e vendit tonë. Nenin 1 i këtij Projektligji e ka qëllimin e njohjes së këtyre meritave, por ka harruar më të merituarit.
Këto janë vetëm pak nga vërejtjet për këtë Projektligj. I thash me plot përgjegjësi, sepse në ato vite e dinë shumë e shumë mësimdhënës, kam qenë në ballë të angazhimeve të mbrojtjes së shkollës shqipe në Kosovë. I thash me përgjegjësi, sepse edhe tani e gjithë ditën jam në krye të aktiviteteve sindikale e në përpjekje bashkë me gjithë kolegët e mi sindikalistë kudo në Kosovë për një arsim sa më cilësor e për një gjendje sa më dinjitoze materiale të të punësuarve në këtë sferë, që në vitet e vrara të Kosovës , quhej shtylla më e fortë e shtetësisë.
Lus mediat që po u drejtohem me këtë shkresë që të krijojnë mundësi debati dhe unë jam i gatshëm të jap kontributin tim për t’u thënë e për t’u mbrojtur e vërteta për arsimin shqip në vitet e okupimit.