Andres Iniesta është emri më i dashur nga tifozët e futbollit në Spanjë.
Mesfushori katalunas 12 vite më parë i kishte siguruar Spanjës trofeun e parë dhe të vetëm të Kupës së Botës falë një goli spektakolar në finale ndaj Holandës.
Inieista aktualisht luan në Japoni, derisa ka folur për Kombëtaren e tij duke thënë se kjo skuadër mund ta përsërisë suksesin e vitit 2010.
“Kam shumë besim te trajneri, te stafi i tij dhe te lojtarët. Mendoj se kjo skuadër mund të arrijë majat. Favoritët e grupit janë Spanja dhe Gjermania, por skuadra që mund të befasojë është Japonia”.
Tutje ish-mesfushori i Barcelonës ka analizuar Kombëtaren e Japonisë duke e vlerësuar jashtëzakonisht shumë.
“Japonia ka një sulm shumë të shpejtë që mund të krijojnë shumë rrezik. Mitoma që luan për Brighton në Ligën Premier, mesfushorët që luajnë në Gjermani, Endo, Tanaka dhe Kamada është një skuadër me një nivel të jashtëzakonshëm”, tha Iniesta.
38-vjeçari u kthye për të folur për golin më të rëndësishëm në karrierën e tij.
“Është e vështirë të them se kush është momenti më i bukur, pasi goli merr të gjithë vëmendjen, por një nga gjërat më të bukura ishte festa kur u kthyem në Spanjë. Mes televizorit dhe kokës time e kam parë me miliona here golin e shënuar. Ishte një moment magjik”.
“Gjithçka zgjati më pak se një sekondë, në atë moment kur godita dhe topi hyri në portë nuk dëgjova asgjë, gjithçka ngriu. Nuk ka asnjë fjalë për ta përshkruar atë moment”.
“Më e mrekullueshme ishte pritja me këmbë e Casillas. Asnjë nga dy veprimet nuk është i thjeshtë. Vendimtare është të ekzekutosh një veprim teknik ndërsa tjetri është më intuitiv dhe magjik. Casillas ishte edhe një herë tjetër shpëtimtar”, deklaroi Iniesta.
Spanja ndodhet në Grupin E së bashku me Gjermaninë, Kosta Rikën dhe Japoninë. /Telegrafi/