Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGj) dhe Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD) kanë publikuar raportin: “Mbrojtja nga diskriminimi në Kosovë”.
Arben Fejza nga Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore ka prezantuar këtë raport duke bërë të ditur se janë të përfshira disa institucione të cilat janë përgjigjur në pyetjet për ligjin për mbrojtjen nga diskriminimi dhe zbatimin e tij. Sipas tij, MAPL ka inicuar shtatë raste në gjykatat përkatëse ndaj komunave që nuk kanë respektuar të drejtat e njeriut.
“Kërkohet nga Institucioni i Avokatit të Popullit të promovohet më gjerë përmes fushatave. Të merret me rastet e diskriminimit. Të vazhdojë të punojë me organizatat jo qeveritare”, ka theksuar ai.
Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli ka thënë se Kosova ende nuk ka pasur një rast deri në fund qe dëshmon zbatimin e legjislacionit anti-diskriminim. Sipas saj, ka shumë grupe shoqërore që në vend janë duke u diskriminuar.
“Diskriminimi ndodhë në Kosovë. Nuk e kemi asnjë person të deklaruar në institucionet publike i cili i takon komunitetit LGBTI. Diskriminimi te gratë nuk është lehtë i detektueshëm”, tha ajo.
Ambasadorja e Holandës në Kosovë, Carin Lobbezoo ka theksuar se që dy vjet ambasada e tyre ka përkrahur këtë projekt.
“Ligji duhet të mbrojë ata që kanë nevojë për këtë mbrojtje. Tretmani i barabartë të grave, të personave me nevoja të veçanta dhe LGBTI duhet të mbrojë. Korniza legjislative duhet të sigurojë mbrojtjen e kategorive shoqërore të diskriminuara. Kemi rekomandime për të gjitha institucionet e përfshira. Është kyçe që të kemi një kornizë ligjore për mbrojtjen e nga diskriminimi. Duhet të rritet kualiteti i legjislacionit sidomos i Kodit Penal. Disa nga komunitet pakicë ka raste kur nuk kontrollohen nga mjekët sepse i takojnë atij komunitetit”, ka shtuar ajo.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj tha se legjislacioni në fuqi ka ngecje në zbatim, pavarësisht që janë të dizajnuara mirë.
“Nëse ligjet janë të mira duhet të zbatohen. Avokati i Popullit të vetmin mjet që ka është rekomandimi. Në këtë drejtim vështirësi paraqet qe në ligj janë tri procedura të cilat nuk janë mirë të sqaruara. Një pjesë e madhe e administratës publike nuk e kanë të qartë misionin e tyre në mandatin që kanë. Në të kaluarën nuk i është dhënë prioritet diskriminimit as nga Avokati i Popullit”, ka theksuar Qelaj.
Ndërsa, drejtori i Zyrës për qeverisje të mirë, të drejtat e njeriut, mundësitë e barabarta dhe jo-diskriminim në Zyrën e Kryeministrit, Habit Hajredini ka thënë se është sfiduese zbatimi i legjislacionit kundër diskriminimit. Sipas tij, janë duke i jetësuar dy nisma me Këshillin e Evropës ku rastet ku identifikohen të ndihmohen.
“Presim të kemi të identifikuar raste fillestar. Ideja nuk është vetëm të identifikohen por edhe të obligohemi qe të marrim veprime”, u shpreh ai.