Site icon Telegrafi

Iniciohet procedurë gjyqësore ndaj tre operatorëve ekonomik në Ferizaj, mashtruan për peshën e produkteve  

Inspektorati i Tregut ka iniciuar procedurë gjyqësore ndaj tre operatorëve ekonomik në Ferizaj, pasi mashtruan konsumatorët me peshën e disa produkteve esenciale.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në një postim në Facebook shkruan se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut nga MINT ka realizuar inspektime tek tre operatorë ekonomik në Ferizaj për verifikimin e peshës së disa prej artikujve esencial.

“Gjatë këtyre inspektimeve, Inspektorët e Tregut në bashkëpunim me zyrtarët e Metrologjisë, pas marrjes së mostrave, kanë konstatuar se disa prej produkteve të miellit dhe sheqerit nuk e kanë peshën e deklaruar sikurse në ambalazh.

Si rrjedhojë, ndaj subjekteve ekonomike janë iniciuar procedurat gjyqësore sipas ligjit në fuqi dhe të njëjtave u është kërkuar që t’i ndërmarrin veprimet e nevojshme për t’i eliminuar këto parregullsi”, thuhet në njoftim.

MINT thekson më tej se për çdo ditë po vazhdon aksionet në terren për mbikëqyrjen e tregut dhe luftimin e informalitetit, duke siguruar garantimin e ligjshmërisë në tregtimin e mallrave në tregun e Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version