Site icon Telegrafi

Iniciohet procedurë disiplinore ndaj prokurorit të rastit të Sebahate Morinës

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit bën të ditur se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me rastin e të ndjerës Sebahate Morina, autoriteti kompetent në kuadër të institucionit të Prokurorit të Shtetit ka iniciuar procedurën disiplinore ndaj prokurorit të këtij rasti.

Në njoftimin për media thuhet se për epilogun e kësaj procedure opinioni publik do të njoftohet me kohë.

Ndërkaq, Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA, ka mbajtur një aksion protestues këtë të mërkurë para objektit të Këshillit Prokurorial të Kosovës lidhur me “neglizhimin e rastit të Sebahate Morinës”.

Kësaj të fundit Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit ia kanë shkelur të drejtën për jetë, e garantuar me Kushtetutë.

Organizatoret e aksionit kërkuan dorëheqjen e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore, Kujtim Munishi dhe vartësve të tij, për siç thanë, mostrajtimin e duhur të këtij rasti.

“Vendimi e thotë qartë se shteti ia mohoi Sebahates të drejtën për jetë. Ndërkohë, nuk ka asnjë dorëheqje e asnjë shkarkim të personave përgjegjës. Por, se s’do të lejojmë asnjëherë që ky vendim kaq i rëndësishëm për të drejtat e grave në Kosovë të kalojë në heshtje”.

“Sebahatja u vra sepse Policia e Kosovës në Graçanicë dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë dështuan përmbushjen e detyrimeve për mbrojtjen e jetës së saj. Ne kërkojmë përgjegjësi”, tha Leonida Molliqaj.

Ndërsa, organizatorja tjetër e protestës tha se kërkojnë nga Kryeprokurori i Shtetit që menjëherë të fillojë procedurat për shkarkimin e Munishit.

“Kërkojmë edhe shkarkimin e prokurorit i cili është marrë specifikisht me këtë rast. Kërkojmë edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës që të shkarkojë zyrtarët policorë të cilët nuk e trajtuan rastin e Sebahates”, u shpreh ajo.

Ndryshe, më 14 mars 2021, Sebahate Morina ishte rrugës për në vendin e saj të punës, por pak metra pa mbërritur, u vra nga ish-bashkëshorti i cili, sipas raporteve zyrtare, e kishte rrahur e keqtrajtuar më parë.

Në vitin 2020 ai ishte dënuar për dhunë në familje nga Gjykata Themelore në Gjilan.

Që nga dita e vrasjes së Sebahates, nuk u bë publike asnjëherë nisja e ndonjë hetimi ndaj zyrtarëve që dyshohet se e neglizhuan trajtimin e rastit. /Telegrafi/

 

Exit mobile version