Site icon Telegrafi

Iniciohet ndryshimi i Ligjit për veteranët

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme miratoi një koncept-dokument për rregullimin e pensioneve të kategorive të dala nga lufta.

Në mbledhjen e qeverisë së zhvilluar sot u miratua koncept dokumenti për rregullimin e fushës së pensioneve për veteranë dhe kategori tjera të luftës.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi tha se ky koncept dokument mundëson ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për Veteranët.

“Duke marrë parasysh planifikimin e buxhetit 2017 dhe konsultimet e shumta me veteranët dhe invalidët, konsiderojmë se është i nevojshëm plotësimi dhe ndryshimi i këtij ligji,” tha Abrashi.

Ai më tutje foli përgjithësisht se çfarë synohet të ndryshohet në Ligjin për Veteranët

“Janë të nevojshme ndryshimet në politika dhe legjislacionin aktual. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale përmes miratimit të këtij koncepti krijon mundësi që pagesat e pensioneve të mbulohen nga buxheti i Kosovës,” tha Abrashi.

Aktualisht në listën e pensioneve të veteranëve janë 28 mijë e 31 ish-pjesëtarë të UÇK-së.

Qeveria në tetor nga rezervat shtetërore ndau 1.6 milionë euro për pagesën e pensioneve të shtatorit. /kallxo.com/

Exit mobile version