Iniciativa “Në arrati” e tematizon gjendjen e refugjatëve të integruar shkëlqyeshëm nga Kosova në Gjermani, të cilët janë të kërcënuar nga dëbimi
Mbrëmjen e së martës, në qendrën familjare të qytetit në Offenburg, refugjatët e kanë pasqyruar në mënyrë dëshpëruese dhe me situata të pabesueshme, gjendjen e tyre në lidhje me kërcënimin për dëbim. Këtë manifestin e ka organizuar iniciativa “Në arrati”.
Temën e udhëhoqi avokati gjerman, Reinhard Kirpes, njëri nga iniciatorët e nismës “Në arrati”. Fillimisht, ai përshkroi situatën kur shumica e kosovarëve u arratisën në Gjermani nga terrori serb në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar; për shkak të përndjekjes së tyre të përhapur dhe shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut. Në fillim ata njiheshin si një grup i përndjekur etnikisht.
Pas përfundimit zyrtar të luftës në vitin 1999, këto njohje u revokuan, ndërsa leje-qëndrimet u tërhoqën. Shumica e të prekurve u kthyen në Kosovë për të marrë pjesë në rindërtimin e vendit të shkatërruar. Mirëpo, parashikimet e tyre i dëshpëruan, pasi atje gjendja si ekonomike, po ashtu edhe politike, sipas Kirpes nuk është përmirësuar.
Disa nga ta u kthyen sërish në Gjermani, në vjeshtën e vitit 2014 dhe para së gjithash në shkurt të vitit 2015 duke parashtruar kërkesë për azil. Shumica e tyre punojnë në Gjermani, shumica në sektorët në të cilët mungon fuqia punëtore, si psh në industrinë manuale dhe fushën e përkujdesjes mjekësore.
“Bëhet fjalë për persona të cilët me vite të tëra jetojnë në Gjermani, janë mirë të integruar, punojnë dhe kanë siguruar ekzistencën e tyre për familjet”, ka spjeguar Kirpes për “Badische Zeitung”, njofton albinfo.
Personat të cilët në Gjermani kanë hyrë pas datës 31 gusht të vitit 2015, nuk pajisen më me leje-qëndrim. Për kosovarët të cilët në Gjermani kanë arritur para këtij afati, nga pikëpamja e “Në arrati”, urgjentisht duhet të përpilohet një rregullore e posaçme. Atyre iu kërcënohet dëbimi, edhe pse në mënyrë të shkëlqyeshme janë të integruar në vend dhe janë të nevojshëm në tregun e punës.
Edhe Eljesa 20-vjeçare është njëra nga të rrezikuarat. Ajo është e lindur në Baden-Baden, në vitin 1999 u kthye me prindërit në Kosovë dhe që nga viti 2014 sërish jeton në Gaggenau me prindërit dhe fëmijët e tjerë të familjes. Ajo ka guxuar të rrëfejë gjatë iniciativës “Në arrati” për frikën e saj ekzistenciale. Me krenari ka rrëfyer se shkollën e mesme e kreu me sukses të shkëlqyeshëm dhe i ishin ofruar tre vende për trajnim të mëtutjeshëm. Për shkak të një refuzimi nga këshilli vendor i Karlsruhes, ajo nuk ka mundur të vijojë trajnimin.
Vetëm pas disa përpjekjeve, asaj i është mundësuar vijimi vullnetar social në një klinikë në Karlsruhe, e që i përgatiti shumë lumturi. Kontributet e saj në klinikë u vlerësuan shumë. Mirëpo, pasi i mbushi 18 pranvera, ajo pranoi një kërcënim për tu dëbuar, e me te, edhe familja e saj. Eljesa iu drejtua menjëherë Komisionit gjerman për raste të rënda në Baden-Württemberg, por deri më tani ende nuk ka pranuar ndonjë përgjije prej më tepër se një viti. Ajo nuk mund ta paramendojë se si do të jetonte në Kosovë.
Tashmë i ka humbur shpresat se ankesa e saj do të vendoset pozitivisht. Sipas “Në arrati”, me marrjen e funksionit të ministri të Brendshëm Thomas Strobl, praktika e vendimeve në Komisionin për raste të rënda është ashpërsuar drastikisht. Vetëm çdo çdo e njëzeta ankesë shqyrtohet në mënyrë pozitive.
Pakënaqësinë e tij lidhur me këtë politikë e ka shprehur edhe sipërmarrësi nga Haslach Bender, i cili së bashku me bashkëpunëtorin e tij kosovar me inicialin Z., ka raportuar për kërcënimin e dëbimit. Kosovari i rrezikuar është i mbrojtur vetëm edhe nga procedura për shqyrtimin e rasteve të rënda. Deri më tani, në Haslach janë grumbulluar pothuajse 2000 nënshkrime në përkrahje të familjes kosovare.
Situatë e ngjashme është edhe ajo e familjeve M. nga Leutkirch, familjet B. dhe A. nga Gaggenau dhe familjen Sh. nga Gundelsheim, të cilat gjithashtu e kanë përshkruar situatën e tyre.
Në fund të mbrëmjes të gjithë pjesëmarrësit u dakorduan që për të rrezikuarit duhet të bëjnë përpjekje për leje-qëndrim humanitar. Fjala përfundimtare e kësaj mbrëmje ka qenë se në asnjë mënyrë nuk duhet dorëzuar.